Hetimet për CEZ/ PS e quan të pavlefshme dëshminë e Leskajt
Në lidhje me rimarrjen në pronësi të shtetit shqiptar të kompanisë “CEZ Shpërndarje” në vitin 2014, sot dëshmoi në Komisionin hetimor parlamentar të kërkuar nga opozita Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj.

Mazhoranca nuk ishte e pranishme dhe kuorumi nuk u përmbush, por ky fakt nuk e pengoi kryetarin e komisionit, demokratin Edmond Spaho, që të vazhdonte me marrjen e dëshmisë. Për mungesën e kuorumit, një reagim i menjëhershëm ka ardhur nga Partia Socialiste, e cila e quajti dëshminë e Bujar Leskajt të pavlefshme. Pas mbledhjes së sotme të këtij komisioni, një reagim ka ardhur nga Nënkryetari i Komisionit Hetimor për Çështjen CEZ, Eduard Shalsi, ku sipas tij, kjo gje ka ndodhur pa numrin e duhur të deputetëve.

Në një reagim për mediat, Shalsi thotë se dëshmia e dhënë në këtë seancë nuk mund të shërbejnë si provë për këtë Komision Hetimor, sa kohë që procedura e marrjes së kësaj dëshmie është në kundërshtim të hapur me Rregulloren e Kuvendit dhe me ligjin “Për Komisionet hetimore”.

“Me keqardhje informojmë për shkeljen flagrante të Kryetarit të Komisionit Hetimor, “Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe mbrojtjen e interesit të shtetit shqiptar nga realizimi i marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. s.”, i cili sot në shkelje të hapur të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, ka zhvilluar mbledhjen e Komisionit, pa patur kuorumin e nevojshëm.

Kemi informuar zyrtarisht Partinë Demokratike që për arsye objektive, anëtarët e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste e kishin të pamundur që të merrnin pjesë në këtë mbledhje.

Qëndrime të tilla të mbajtura nga anëtarët e Partisë Demokratike në Komision, nuk i shërbejnë punës së këtij Komisioni dhe çështjes për të cilën është ngritur. Partia Demokratike ka vijuar me sjelljen e saj tërësisht politike me këtë show mediatik”, tha Shalsi. /albeu.com/

Shtuar më 10/10/2016, ora 17:18
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori