Celulari zbulon atentatorin e Banos
Pëlqej
Albeu.com
Dashamir Biçaku, ShekulliTabulatet telefonike të të arrestuarve për eksplozivin te “Don Bosko” zbulojnë emrin e “njeriut-bombë”. Hetuesit e çështjes pohojnë se janë drejt identifikimit të plotë të atentatorit që i shpërtheu eksplozivi në dorë, mëngjesin e 5 marsit. Në telefonin e njërit prej të rinjve nga Lushnja që u arrestua për implikim në shpërthimin e eksplozivit është gjetur numri i një personi me emrin Altin, por pa mbiemër. Pikërisht ky person, mbiemri i të cilit ende nuk dihet, dyshohet se mund të jetë i vdekuri nga shpërthimi i eksplozivit, dy javë më parë në pallatin e rrugën “Don Bosko”. Elvis Pethi, Ardian Llapushi dhe Mario Hasani, të tre banorë të Lushnjes u akuzuan se kanë penguar hetimet për zbardhjen e shpërthimit të eksplozivit, në pallatin e zyrtarëve të drejtësisë. Njërit prej tyre, policia i ka gjetur në telefon numrin e shënuar me emrin Altin, që i korrespondon kartës së djegur, të sekuestruar nga policia në vendin ku shpërtheu eksplozivi. Nga ana tjetër, oficerët e policisë kriminale kishin mundur të zbërthenin kartën e telefonit të “njeriut-bombë”, prej nga u zbuluan edhe thirrjet e fundit të kryera nga kjo kartë. Tabulatet telefonike duket se kanë qenë çelësi i zbardhjes së paku i bashkëpunëtorëve të ngjarjes që tronditi lagjen periferike të Tiranës, ende pa u gdhirë e shtuna e 5 marsit. Verifikimi i numrave të telefonit që kishin kryer thirrje me “njeriun-bombë”, pak minuta para atentatit çoi policinë në arrestimin e tre të akuzuarve si bashkëpunëtorë.
Emri i shënuar “Altin”
Puna e parë pas mbërritjes së policisë tek të dyshuarit, duket se ka qenë bllokimi i kartave të tyre telefonike, si dhe aparateve telefonike që personat e mësipërm kishin. Nga kontrolli që u është bërë telefonave është gjetur edhe numri i telefonit të personit që u gjet i masakruar nga shpërthimi i lëndës plasëse. Hetuesit kanë vënë re se ky numër ishte shënuar me emrin Altin. Por sakaq ata kanë vërejtur se emri nuk ishte i shoqëruar nga pas me mbiemrin e personit.Në bazë të këtyre të dhënave, policia ka dyshuar se pikërisht ky ishte identiteti i personit të dyshuar si atentator. Verifikimet e mëtejshme të policisë bënë që të ngrihej versioni se Katia Bano, nëna e oficerit të vrarë Klejdi Bano, mund të kishte qenë objekt i atentatit të dështuar dhe Banda e Lushnjes të jetë organizatorja e këtij atentati. Klejdi Bano u vra në prill të vitit 2000 dhe për këtë ngjarje janë në proces gjyqësor anëtarët e Bandës së Lushnjes.
Arrestimet
Pas dyshimeve se atentati me eksploziv në rrugën “Don Bosko” është vepër e bandës së Lushnjes, agjentët e policisë kriminale të komisariatit numër 3 kanë arrestuar tre persona, të cilët mendohet të jenë përfshirë në këtë çështje. Elvis Pethi, 18 vjeç, Ardian Llapushi, 27 vjeç, si dhe Mario Hasani, 25 vjeç, janë personat që akuzohen nga policia se kanë penguar hetimin dhe zbardhjen e kësaj çështjeje me veprimet e tyre. Ata gjithashtu dyshohet se kanë dijeni mbi ngjarjen e mësipërme si dhe të dhëna mbi këtë çështje, por qëllimisht kanë penguar hetimin. Deri më tani, policia dhe prokuroria dyshojnë se personat e arrestuar mëngjesin e djeshëm, jo vetëm që kanë pasur dijeni mbi atentatin, por mendohet të kenë qenë edhe bashkëpunëtorë. Ndërsa lidhur me viktimën e këtij atentati, policia nuk ka mundur të japë një version të saktë mbi identitetin, përveç dyshimit të saj se ai mund të quhet Altin.
Shtuar më 18/03/2005, ora 22:26
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori