Ceku: Serbia ka mashtruar dhe genjyer Interpolin me akuza te trilluara
Albeu.com
Gjykata e Qarkut në qytetin Qystendil të Bullgarisë ka liruar ish-kryeministrin e Kosovës, Agim Çeku, nga arresti ku po mbahej. Ish-kryeministri Çeku i tha sot Radio Kosovës në një intervistë nga Bullgaria, se arrestimi i tij ishte ...... një incident dhe shpresonte se ky vendim do të bëhet shkas që Interpoli tani e tutje të mos marrë më në konsideratë fletarrestimet serbe. Ish kryeministri Çeku falënderoi Qeverinë e Kosovës dhe të gjithë ata që u angazhuan për lirimin e tij.

Zoti Çeku, si do ta vlerësonit arrestimin tuaj dhe tani lirimin nga policia bullgare?

Agim Çeku: Mendoj se ka qenë një incident. Më liroi Gjykata dhe jo policia. Policia më kishte arrestuar, kurse më liroi Gjykata e Qarkut këtu në qytetin bullgar Qystendil pas një seance të gjatë disa orëve. Gjykata e pa më në fund se nuk kishte fakte të më mbante në arrest dhe më liroi.


Zoti Çeku, kur do të ktheheni në Prishtinë?

Agim Çeku: Duhet të respektohen disa procedura gjyqësore pasi çështja ka shkuar në gjykatë. Duhet pritur tre ditë nëse kundër këtij vendimi të Gjykatës do të ankohet prokurori publik këtu në qytetin Qystendil, dhe nëse ankohet, atëherë do të duhej të mbahej një seancë e re më dy korrik. Shpresoj se nuk do të ankohet, por kjo do të shihet sot ose nesër, pasi pasnesër është e diel. Dhe nëse nuk do të ketë ankesë nga ana e prokurorisë, unë do të kthehem menjëherë. Sipas ligjeve të këtij vendi nuk mund të largohem derisa vendimi i gjykatës të bëhet i plotfuqishëm. Se a do të bëhet i plotfuqishëm, varet nga ankesa e prokurorit publik.

Zoti Ceku, si të bëhet me këto fletë arreste të Interpolit, iniciuar nga Serbia, që më të mos keni probleme as ju as politikanët tjerë?



Agim Çeku: Nëse ka diçka pozitive nga arrestimi im atëherë është fakti i daljes sime në gjyq dhe zhvlerësimi i fletë arrestit nga Gjykata. Për herë të parë pata rastin t’i shihja akuzat e Serbisë dhe fletë arrestin nga Interpoli. Vërtet janë qesharake. Serbia e ka mashtruar dhe gënjyer Interpolin me informacione të trilluara dhe të pasakta. Tani i kam në dispozicion këto dokumente me akuza të pasakta e të fabrikuara dhe sa po të kthehem do t’ia dorëzojë Qeverisë së Kosovës që të kërkojë zyrtarisht nga Interpoli t’i hedhë poshtë ato, sepse jo vetëm që nuk kanë ndonjë fakt, por e përsëris, janë tejet qesharake. Besoj se ky rast do t’i shërbejë Interpolit që përfundimisht të heq këto fletë arreste jo vetëm për mua por edhe për të tjerët, sepse unë nuk jam i vetëm. Serbia ka shpallur fletë arreste të tilla edhe për tjerë politikanë të Kosovës. Nga tërë kjo histori besoj se do të dalë diçka e mirë, pasi tani kemi në dorë gjithë ato akuza të pabaza e të trilluara që Serbia i ka deponuar në |Interpol.

Zoti Çeku, besoj se keni pasur përkrahjen e institucioneve të Kosovë për lirimin tuaj?

Agim Çeku: Shpreh keqardhje që edhe një herë i shkaktova shqetësim opinionit publik të Kosovë por edhe institucioneve të vendit, edhe familjarëve edhe të afërmve dhe miqve, prandaj falënderoj të gjithë atë që më afruan mbështetje dhe më përkrahën në këto çaste. I falënderoj veçanërisht institucionet tona që vërtet kanë qenë shumë aktive dhe janë angazhuar që sot të jem i lirë. Besoj se kur të kthehem dhe të prezantoj këto dokumente që tashmë i kam, bashkërisht do të punojmë që më një gjë e tillë të mos më ndodhë as mua por askujt tjetër. (rtk)
Shtuar më 26/06/2009, ora 19:28
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori