Çeku nuk pranon pritje në kafene
Pëlqej
Albeu.com
Vizita e kryeministrit të Kosovës në pikëpyetje. Përderisa nga Qeveria e Kosovës vijnë fjalë se kryeministri kosovar nuk do të pranojë të pritet jashtë Qeverisë, në kabinetin e Buçkovskit “nuk dinë gjë”.Disa ditë para realizimit të vizitës së paralajmëruar të kryeministrit të Kosovës, Agim Çeku, ende nuk dihet se ku do ta presë kryeministri i Maqedonisë Vllado Buçkovski homologun e tij kosovar.
Mbetet e paqartë nëse pritja do të bëhet në ambientet e Qeverisë apo edhe në këtë rast Buçkovski do ta presë homologun e tij kosovar në ndonjë restorant, ashtu siç ka vepruar më herët me ish-kryeministrin Bajram Kosumi.
Ndërkaq burime të sigurta të “Lajm”-it nga kabineti i Çekut kanë thënë se nëse ai nuk do të pritet në Qeveri, atëherë ekziston mundësia që kryeministri kosovar ta anulojë vizitën e tij në Shkup. I njëjti burim tha se “një pritje eventuale në ndonjë restorant të Shkupit është nën nivelin e takimeve ndërmjet dy kryeministrave. Një gjest i tillë i Qeverisë së Maqedonisë do të shkaktonte mosardhje të Çekut në Shkup”.
Në kabinetin e kryeministrit Buçkovski nuk kanë dashur të japin hollësi rreth pritjes që do t’i bëhet Çekut, me preteksin se agjenda e pritjes akoma nuk është bërë gati. “Lidhur me këtë çështje, nuk mund të themi asgjë. Akoma nuk dihet asgjë se ku do të pritet kryeministri Agim Çeku”, tha për “Lajm” zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Agim Jonuz.
Ndërkaq në kabinetin e kryeministrit të Kosovës Agim Çeku, nuk kanë dashur të flasin zyrtarisht për vizitën në Shkup. Ata kanë thënë se janë në pritje të agjendës nga Qeveria e Maqedonisë.
Siç është paralajmëruar, kryeministri i Kosovës Agim Çeku, me ftesë të homologut të tij Vllado Buçkovski, do ta vizitojë Shkupin më 5 maj.
nga QASHIF BAKIU, Lajm
Shtuar më 26/04/2006, ora 17:53
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori