Shahini zbulon nëse do të shtyhet Matura Shtetërore: Përsëritni leksionet!

Ministrja e Arsimit Besa Shahini në një komunikim virtual në rrjetet sociale u është përgjigjur interesit të nxënëseve në lidhje me shtyrjen e Maturës Shtetërore për shkak të situatës së krijuar nga përhapja e koronvirusit.

Shahini njoftoi se nuk është marrë asnjë vendim për shtyrjen e provimeve të Maturës, ndërsa shtoi se ka kërkuar 1 orë shtesë për maturantët, duke theksuar se këto dy javë mund të përdoren shumë mirë për të përsëritur leksionet.

“Për momentin, nuk kemi asnjë arsye të mendojmë pse duhet të shtyhet. Unë besoj fuqishëm që këto 2 javë, përderisa jemi detyruar të qëndrojmë në shtëpi, është një periudhë shumë e mirë për të përsëritur të gjitha leksionet dhe për të mësuar në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur për testin e maturës. Në mënyrë që t’ju vijmë në ndihmë, kemi kërkuar nga RTSH që të na japë edhe një orar shtesë vetëm për maturantët.

Dhe ky orar është ora 13:30-14:30, ku do të transmetojmë leksione të klasës së 12-të të matematikës, biologjisë dhe kimisë, në mënyrë që maturantët të kenë mundësi të thellojnë më tutje aftësitë e tyre në këto 3 lëndë, të cilat konsiderohen edhe si më të vështirat nga vetë ata.

Mos harroni, nga ora 13:30-14:30, nga e hëna deri të premten, është edhe një orar shtesë për të gjithë maturantët në mënyrë që të arrijnë të përsërisin disa nga leksionet e klasës së 12-të”, u shpreh Shahini.

Ministria, po ashtu theksoi se mësimi në RTSH do të vijojë edhe pas 23 marsit.

“Jemi në diskutim me RTSH për mënyrën më të mirë për të vazhduar përtej datës 23 mars. Pra, përtej këtyre 2 orareve që na i ka dhënë RTSH në dispozicion për të transmetuar leksione dhe përtej leksioneve të lëndëve të caktuara, ideja është që të bëjmë shumë më shumë dhe të kemi edhe programe të tjera që janë edhe argëtuese, edhe edhe edukative”, nënvizoi ajo.


Shtuar 14.03.2020 16:23