Camet leter Sarkozy: Te njihen te drejtat ne Greqi
Albeu.com
Komuniteti shqiptar çam në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i ka kërkuar presidentit francez Nicola Sakrozy ndihmë, në mënyrë që Greqia të njohë të drejtat e tyre.Sipas agjencisë maqedonase të lajmeve INA, e cila ka publikuar lajmin, në letrën dërguar Sarkozy, kërkohet dënimi i gjenocidit grek të ushtruar ndaj shqiptarëve të Çamërisë; njohjen e të drejtave si shtetësinë, gjuhën, pronën, traditave dhe kulturën; kompensimin prej mbi 60 vjeçar të shfrytëzimit të padrejtë të shtëpive, pronave dhe pasurive të tjera nga pronarët e paligjshëm.

“Mohimi i të drejtave elementare si konfiskimi i pronave, mos hapja e shkollave në gjuhën amtare, reprezaljet, burgosjet dhe diskriminimi total nuk u ndërprenë asnjëherë. Ndërsa më 1944 – 45, pas masakrave ç’njerëzore e vrasjeve të më se 2900 njerëzve të pafajshëm kryesisht gra, fëmijë e pleq u përzunë me dhunë për në Shqipëri mbi 30.000 çamë që jetonim në trojet tona etnike prej mijëra vitesh”, thuhet në letrën e çamëve drejtuar presidentit francez.

Gjithashtu nënvizohet se sot vetëm në Shqipëri jetojnë mbi 200.000 shqiptarë të ardhur ose me prejardhje nga Çamëria.

“Diskriminimi ndaj popullsisë çame, vazhdon edhe sot. Qeveria greke, nëpërmjet Ambasadës së saj në Tiranë, vjet u refuzoi vizat e hyrjes 26 çamëve me banim në Shqipëri me arsyen e mos arsyes se kanë lindur në Greqi. Po ju drejtohemi juve si president i Francës si edhe vendit që mban Presidencën e radhës së BE-së të ndërhyni që çështja çame, si problem i të drejtave të njeriut të marrë zgjidhjen e duhur”, thuhet në letrën e drejtuar presidentit francez Sarkozy nga komuniteti çamë që jeton në SHBA. (ina)
Shtuar më 20/10/2008, ora 16:46
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori