Cameria si mbijetoi!
Albeu.com
“Ëndrra e Çamërisë” titullohet filmi dokumentar kushtuar kësaj krahine me skenar të Enver Kushit dhe regji të Kujtim Gjonajt, premiera e të cilit do të shfaqet më 11 mars në Teatrin e Operës dhe Baletit. Një rrëfim në ekran për historinë, lotët dhe mbijetesën e këtij populli.Ca gjurmë breg detit që fshihen me një të kaluar të dallgës. Më tej një prolog që sjell si në një tis ëndrre historinë, vuajtjet, dhimbjet, përlotjen dhe mbijetesën e Çamërisë. Esat Teliti dhe Margarita Xhepa u kanë dhënë zë mendimeve. Kështu nis filmi dokumentar kushtuar kësaj krahine me skenar të Enver Kushit dhe regji të Kujtim Gjonajt. “Ëndrra e Çamërisë” (operator Gavrosh Haxhihyseni dhe montazhi Lulzim Sula) me minutazh 1 orë e 20 minuta, thuajse sa një film artistik, ishte një nga pesë projektet për dokumentar që bordi i Qendrës Kombëtare Kinematografike miratoi në 2008-n. Xhirimet janë mbyllur, faza e postproduksionit po ashtu dhe premiera është parashikuar të shfaqet më 11 mars në Teatrin e Operës dhe Baletit. “Është një film dokumentar sa historik, aq edhe emocionues”, shprehet regjisori Gjonaj, për të cilin ky projekt përmbyll në njëfarë mënyre misionin e tij drejt temave historike. Dokumentari është konceptuar në katër pjesë, ku secila prej tyre është një hallkë që të çon në idenë bosht të këtij realizimi: mbijetesa e Çamërisë. “Duke hequr mjegullën-Rizbulimi i Çamërisë” sjell në mënyrë përmbledhëse lashtësinë, historinë, shtrirjen gjeografike, të dhëna për qytetet, popullsinë etj. Pjesa e dytë, “Drama çame-kronika e zhbërjes” përfshin kronikën e dhimbjes dhe tragjedisë çame. Pjesa e tretë e titulluar “Mbijetesa, zjarret nuk shuhen” qëndron te vlerat, ndërsa e katërta dhe përmbyllësja, “Mall-Ribërja e Çamërisë” ndalet pikërisht te vitaliteti i kësaj popullsie. Regjisori garanton se do të ketë një takim emocionues me publikun. Ndërsa epilogu: ky është një film homazh për krahinën e Çamërisë, për lashtësinë e saj homerike, për traditat e shquara kulturore patriotike, homazh për dhimbjen, lotët dhe gjakun e saj, një film homazh dhe amanet për brezin që po shuhet, për brezin që është shkulur nga rrënjët e tokës amtare pa përmbushur një ëndërr, ëndrrën e Çamërisë”, është sinteza e gjithë këtij dokumentari realizuar edhe me mbështetjen e komunitetit çam.

Një film dokumentar për Çamërinë. Kur ka nisur ideja e këtij projekti?


Ideja për të realizuar një film për krahinën e Çamërisë bën pjesë në një ide që është e kahershme brenda meje e që zë fill që në fillimet e krijimtarisë sime. Një ndër boshtet kryesore të veprimtarisë sime si regjisor e dokumentarist është tema historike, përfshirë këtu të gjithë territorin ku jetojnë dhe gëlojnë shqiptarë; Kosova, Çamëria, shqiptarët e Malit të Zi dhe ata të diasporës. Nxitja nis rreth viteve 2000, kohë kur unë xhiroja një film dokumentar për Ali Pashë Tepelenën. U gjendëm në disa troje çame dhe instinktivisht, me dëshirën për t’i pasur këto në arkivën time, xhirova në shumë zona të ndryshme si në Sul, Prevezë, Janinë etj. Arkivi erdhi duke u pasuruar gjatë viteve dhe gjatë kohës që po xhiroja për një nga figurat e mëdha të letërsisë shqipe, Faik Konicën dhe kur bëra një dokumentar protestë për ata njerëz që i shpëtuan gjenocidit grek të vitit ‘44-‘45 e që erdhën në Shqipëri. Por nxitja konkrete për këtë dokumentar erdhi nga një takim krejt i rastësishëm me mikun tim Enver Kushin, i cili, në mënyrë të pavarur, kishte shkruar një skenar të mrekullueshëm për krahinën e tij. Ideja erdhi duke u kristalizuar deri sa mbërritëm në realizimin e një filmi të plotë dokumentar kushtuar Çamërisë, premiera e të cilit do të jetë më 11 mars në Teatrin e Operës dhe Baletit. Me këtë dokumentar them se po përmbyll një dëshirë dhe një mision timin për të konvertuar në film historinë plot vlera dhe dhimbje të këtij vendi.

Në platformën paraqitur bordit miratues, a është ky një dokumentar deri-diku shterues për historinë, traditat dhe mbijetesën e kësaj krahine?


Për Çamërinë ka këndvështrime të ndryshme. Mund të bëhen shumë filma sepse në fund të fundit historia ka shumë mënyra trajtimi. Unë kam bërë një film, ku besoj se kam përmbushur disa kërkesa të miat artistike dhe të të gjithë stafit me të cilin kam punuar, duke e interpretuar filmin në këndvështrim historik, por edhe emocional. Skenari, por edhe mendimi me të cilin unë iu qasa historisë së kësaj krahine, ishte një film dokumentar për të treguar me fakte konkrete, por që brenda ka artin, metaforën, simbolikën, shpirtin, emocionin. Një orë e njëzetë minuta janë shumë, por edhe pak. Është një film për një krahinë që zë fill që në kohën e Homerit e përfundon në kohën e sotme. Ata u masakruan, u detyruan të shpërnguleshin, por mbijetuan deri më sot dhe janë një popull vital. Pikërisht kjo është kuintesenca e këtij filmi: mbijetesa e Çamërisë.

Pjesë e dokumentarëve janë edhe materialet arkivore. Në ç’masë dhe në ç’funksion i keni përdorur ato?


Dëshira ime si regjisor ishte që kjo histori e përcjellë përmes filmit dokumentar të krijonte asociacione të forta me shikuesin. Materiali arkivor është vënë sa në funksion të së vërtetës, por edhe të anës emocionale. Jam përpjekur të shfrytëzoj pjesët më të mira të arkivit personal dhe të arkivës së shtëpisë filmike “Bota shqiptare”. I gjithë ky material i bollshëm arkivor është përdorur në funksion të asaj që e quajmë metafora artistike.

Ende sot ka dëshmitarë të gjallë të masakrës çame. Sa i keni shfrytëzuar dëshmitë e tyre?


Baza e një filmi dokumentar, përveç emocionit, është përdorimi i fakteve sa më të vërteta. Në vazhdën e shumë filmave të mi dokumentarë jam munduar të përdor atë që quhet e padiskutueshmja e dokumentit. Përveç vendeve të xhirimit që janë autentike (në disa troje çame, Amerikë dhe Turqi), këta njerëz janë dëshmi e gjallë. Ata kanë përjetuar persekutimin, shpërnguljen forcërisht në ‘44-‘45. Atëkohë mund të kenë qenë 6-7 vjeç, ndërsa tani janë mbi 70 vjeç dhe ky rrëfim i tyre ka një vlerë të padiskutueshme arkivore, emocionale, por edhe vërtetësie. Krahas tyre kemi bërë pjesë të filmit edhe shqiptarë që kanë mbetur në Greqi. Ata sjellin emocione të vërteta.
Shtuar më 22/02/2010, ora 16:37
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori