“Call Center”/ Ikin italianët, ja sa të rinj shqiptarë rrezikojnë punën
Senati italian pritet që në datën 6 dhjetor të miratojë ligjin për mbylljen e biznesit Call Center në vendet jo anëtare të BE-së. Shqipëria mbetet një ndër vendet më të rrezikuara, ku më konkretisht 25 mijë qytetarë rrezikojnë të humbasin vendin e punës, ndërsa paga mesatare neto e punonjësit llogaritet ne 400 euro.

Lidhur me këtë çështje, Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë, Ines Muçostepa, në intervistën për “Panorama” tha se miratimi i ligjit nga senati italian, ka për qëllim largimin e biznesit Call Center nga Shqipëria, ku menjëherë dalin të papunë 10 mijë persona.

Duke iu referuar të dhënave zyrtare të administratës tatimore, në vend janë të regjistruara 847 kompani Call Center, ndërsa të punësuar janë 25 mijë persona.

Hapja e këtyre kompanive në vendin tonë, sipas Muçostepës, ka ardhur për shkak të kostos së ulët të hapjes së biznesit dhe krahut të lirë të punës.

Sipas saj, krehu i lirë i punës ka shtyrë pronarët italianë të hapin filialet e tyre në Shqipëri. Kryetarja e Unionit të Dhomave informon se nga takimet që ka zhvilluar me pronarët e kompanive mëmë është pohuar se në rast të miratimit të ligjit, nuk do të kthehen të operojnë në Itali, për shkak të taksave të larta.

Përfaqësuesja e biznesit tha se së bashku me kompanitë mëmë në Itali po lobon për mosmiratimin e ligjit, ndërsa vetë kompanitë shqiptare kanë kërkuar edhe ndërhyrjen e Kryeministrit Rama.

Kompanitë po lobojnë edhe me shtetin italian, ku argumenti që po përdorin është hapja e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE dhe garancinë e ofrimit të standardeve.

Ja kush janë arsyet se pse shteti italian kërkon të miratojë ligjin e mbylljes së biznesit Call Center.

“Problemi nisi që me miratimin e udhëzimeve për rregullat e reja të biznesit Call Center, ku shumë ndërmarrje dolën jashtë Italisë dhe po hapnin filiale të reja në vendin tonë. Aktualisht në ndërmarrjet italiane janë duke u shkurtuar vende pune, sepse kanë hapur filialet e tyre në Shqipëri dhe kanë ofruar së paku 2 mijë vende pune në një filial, 3 mijë vende në një tjetër e kështu me radhë. Tashmë në Itali ekziston presioni i një ndërmarrjeje të madhe për heqjen nga puna dhe të atyre punonjësve që kanë ngelur e kjo për shkak të problemeve që lidhen me kostot e larta të biznesit. Pra, janë disa presione sektoriale, por edhe nga sindikatat italiane që mbrojnë të papunët, ku ndryshe nga ne, që i kemi më të qetë këto lëvizje, ndërsa kostot për biznes i kemi më të ulëta. Dhe këto biznese vijnë në Shqipëri për shkak të kostos së ulët”, shpjegon Muçostepa. /albeu.com/
Shtuar më 26/11/2016, ora 09:23

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori