Çahen partitë e vogla parlamentare
Albeu.com
Partitë e vogla parlamentare janë përçarë që dje mbi bashkëpunimin për reformën elektorale. Starova dhe republikanët nuk bëhen pjesë e deklaratës.Dje, për herë të parë, për të kundërshtuar mënyrën e ngritjes së komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, janë takuar krerët e 8 partive parlamentare të majta dhe të djathta, të cilët kanë firmosur një deklaratë të përbashkët kundër dy partive të mëdha, PD-së dhe PS-së. Në të, ata kërcënojnë me mospjesëmarrje në komisionin e reformës zgjedhore, në rast se nuk do të ketë reflektim nga dy partitë e mëdha. Ajo që është kundërshtuar nga këto parti, është e drejta e vetos. Në këtë grupim opozitar me PS-në dhe PD-në bëjnë pjesë PSD, LSI, PDR, PAD, PDS, PAA, PDK, PBDNJ. PR ka marrë pjesë në tryezë, megjithëse kryetari i grupit parlamentar të saj, Arjan Madhi, nuk ka hedhur firmën në deklaratë. Sipas tyre, projektvendimi i miratuar prej partive të mëdha procedurialisht është paraqitur në kundërshtim me përcaktimet e rregullores së Kuvendit. Sipas deklaratës së lexuar nga kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, kjo procedurë është shkelur për të privuar të gjitha partitë e tjera parlamentare, përveç PS-së dhe PD-së në konceptimin e këtij projektvendimi. Dule u shpreh se me këtë vendim ngrihet një komision krejtësisht i ngjashëm me komisionet bipartizane i vendosur totalisht në kontrollin e PS-së dhe PD-së, dhe që e kthen pjesëmarrjen e partive të tjera në një formalitet. Në këto kushte, partitë e vogla parlamentare vlerësojnë se përsëri reforma e re po merret në një frymë të kundërt me atë të rekomanduar në mënyrë eksplicite nga OSBE/ODIHR dhe paralajmëron dështimin e kësaj reforme të nisur në këtë mënyrë. Në këto rrethana, thuhet në deklaratë, pjesëmarrja e partive tona në komision është fiktive dhe për pasojë ne distancohemi nga implikimi figurativ në një pseudoreformë. Ata kërkojnë një reflektim nga PS dhe PD dhe nga Kryetarja e Kuvendit si dhe nga të gjithë faktorët e interesuar të vendit dhe ndërkombëtarë, për të ndikuar si një mundësi e fundit për t'i kthyer legjitimitetin reformës, konsensualitetin, transparencën në kryerjen e saj si dhe pjesëmarrjen aktive dhe të përgjegjshme të këtyre partive. Të pyetur nga gazetarët mbi qëndrimin e koalicionit të djathtë, Dule dhe Ndoka nuk kanë saktësuar nëse do të largoheshin prej tij, nëse kjo pikë nuk zgjidhej. "Kuptohet që PDR ndryshon nga partitë e tjera. Ka një marrëveshje me PD-në pikërisht një nga pikat e saj është që reforma zgjedhore të jetë me një konsensus mes palëve. Kjo për fatin e keq nuk ka ndodhur nga ana e PD-së", tha Nard Ndoka.

Ndërsa kryetari i LSI-së, Ilir Meta, tha se, "ne jemi këtu për t’u distancuar nga këto lojëra dhe jemi këtu për të kërkuar reflektimin e këtyre dy partive që të mos e nisin me dështim, një reformë të domosdoshme dhe në veçanti vetë formimin e këtij komisioni për reformën zgjedhore, i cili formohet në kundërshtim me një nga rekomandimet bazë të ODIHR-it dhe të OSBE-së që të jetë larg përvojës së bipartizanit".

Vangjel Dule

"Në një koalicion secili ka hyrë në bazë të marrëveshjeve që ka nënshkruar me partinë drejtuese të koalicionit. Sot na bashkon kontestimi i mënyrës, me të cilën u procedua për ngritjen e komisionit, i cili ka përgjegjësinë për reformën zgjedhore", është shprehu kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.

Nard Ndoka

Kryetari i grupit parlamentar të reformatorëve, Ndoka, tha se, "PDR ndryshon nga partitë e tjera. Ka një marrëveshje me PD-në, pikërisht një nga pikat e saj është që reforma zgjedhore të jetë me një konsensus mes palëve". Por, kjo për fatin e keq nuk ka ndodhur nga ana e PD-së, shpjegoi Ndoka

Meta

Kryetari i LSI-së, Meta, tha se partitë e vogla parlamentare distancohen nga lojërat e PD-së dhe PS-së. "Ne kërkojmë reflektimin e këtyre dy partive që të mos e nisin me dështim, një reformë të domosdoshme dhe në veçanti vetë formimin e këtij komisioni për reformën zgjedhore", tha Meta.
nga DARINA TANUSHI, Gazeta Metropol
Shtuar më 20/01/2006, ora 14:17
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori