Busti pa mbulim, me një popull në zbulim!
Pëlqej
nga Genti Pulti -

Mjaft foli injoranca, të mënçurit nuk duhet te heshtin!

Kam qëndruar larg shumë debateve të ashtëquajtura fetare, por që nuk kanë asnjë lidhje me asnjë gjë që predikojnë komunitetet fetare në Shqipëri. Qëndrimi larg nga debatet shterp janë zgjedhje në respekt të miqve të shumtë që besojnë në fenë e tyre, apo nuk besojnë, zgjedhje përsonale për çdo njeri. Të gjithë në një mënyrë apo në një tjetër krijojmë hapësirat tona të nevojshme të jetesës, përzgjedhim miqt, dashamirësit, bashkëpunëtorët, brenda kufijve të normales. Në momentin që hapesira cënohet, reagimi është i pa shmangshëm, për të treguar se secili duhet të jetë i vetëdishëm për hapin që bën.

Një ngjarje që filloi si batutë, më pas në debate pafund, të kota gjithsesi, po rrezikon shumë në hapësirat që kultura, historia, ngjarjet, shpirti njerezor i një populli me shumë halle, ka ditur ta krijoje, dhe këtë e kemi emërtuar thjeshtë; "harmoni fetare".

Sic duket të pakët janë ato njerëz këto kohë, që jane ulur dhe kane menduar thellësisht mbi këtë emërtim unik brenda popullit tonë si shembull në kontinentin që i përkasim, por dhe më gjerë.
Papa Francesco jo më kot zgjodhi vendin e parë për vizitën e tij në Europë, për arsye të cilën ai e parashroi gjatë qendrimit të tij, e cila ishte harmonia fetare në Shqipëri, një shembull për mbarë botën. Duartrokitjet parisiene nuk pushuan pas ngjarjeve në Francë, kur përfaqesuesit fetar të kapur dore për dore ecnin rrugëve të Parisit, të emocionuar nga pamja që nuk po i besonin, nga mesazhi i shumë dëshiruar apolitik, njerëzor për Europën e trazuar. Më vonë mediat vrapuan të gjenin se kush ishin këta njerëz, dhe u mahnitën që nga një vend aq i vogël, aq i pa përfillshëm në tryezat politike të kontinentit që bëjmë pjesë, vinte një mesazhë i madh, një thirrje "Paqe për një të drejtë jete".

Duket se disa qarqe dhe segmente kanë interesa të kundërta me mesazhet njerëzore, duan me patjetër të ndryshojnë terrenin dhe ta kthejnë harmoninë në konflikt, aty ku ka lindur një trendafil ta kthejnë në shkretëtirë, aty ku ka një burim ta përthajnë, dhe etja të mbyse çdo gjë. Në çdo lloj portali shikohet debati, të përfshirë njerëz që jo pak janë me peshë në këtë vend. Llogjika është ulur këmbëkryq dhe emocionet i kanë paraprirë vullnetit të mirë. Sigurisht jo pak janë nga ata pseodo analiste që duan t'i shërbejnë vetes me ndonjë thele mish, pa kuptuar se mishi që duan të marrin nuk është i ndonjë bagëtije, por është nga trupi i popullit tonë.

Dikur njerëzit e këtij kombi kishin më pak shkollë e më shumë mend, sot kanë shumë shkollë, dhe pak mend!

Në seancën e mbledhjes të Lidhjes së Kombeve, me 17 dhjetor 1920, delegati i Indisë, duke e quajtur si vepër të mirë pranimin e Shqipërisë në Organizatën e Lidhjes të Kombeve, nënvizonte se: "Kur në Botë zhvilloheshin ende luftra ndërfetare, në Shqipëri, myslimanet, katolikët e ortodoksët, jetonin në harmoni dhe ishte fakt i shkëlqyeshëm për një vend me shumicën dërmuese të popullsisë myslimane të kishte këtu përfaqesues një të krishterë dhe një klerik prift."

Megjithëse Hasan Riza Pasha ishte musliman, në rivarrimin e eshtrave të tij morën pjesë musliman e katolikë, ndërsa fjalimin elegant e prekës e mbajti At Gjergj Fishta. Në fjalimin prekës me rastin e varrimit të atdhetarit Sali Nivica, Fishta qëllimisht, në vend të termave katolike, përdori terma muslimane: Rahmet, Xhennet, etj.

Kurse hafiz Ali Kraja thoshte në varrimin e Gjergj Fishtës "Me ty, Patër Gjergj, kombi naltësohet dhe madhënohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet, djelmnia intelektuale vajton humbjen tande e me lot ndër faqe të përcjell me mallënjim e dhimbje në jetën e pasosme”, kishte për qëllim mesazhin e kesaj harmonie.

Janë të shumtë rastet e ndërsjellta të kësaj harmonie me shekuj ne këtë komb. Sa shumë mesazhe me pak fjalë kanë dhënë brezat e njerëzve të mençur, sa shumë llafe dhe mesazhe boshe kanë sot njerëzit.

Këto dite te gjithe po mundohen të tejkalojnë kufijte personal, kufijte e bashkëjetesës, kufijtë realitetit ndër dekada, duke na tjetërsuar arsyetimin llogjik të të menduarit, të të vepruarit.
Jo pak po i jepet hapesire injorances, te prirur ne berje lajmi, ne dem të interesit publik, sot politika është pasive në traditat kombetare, ne dëm te harmonisë, sot intelektualët e vërtetë heshtin dhe injoranca paraprinë diturine.

Para pak ditesh nuk u mbulua një bust, por po zbulohet një popull!
Shtuar më 06/09/2017, ora 14:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori