Endej në ujërat shqiptare, policia kufitare e Vlorës shpëton turistin gjerman

Autoritetet në Vlorë kanë arritur të shpëtojnë një turist gjerman, i cili kishte humbur kontaktet me familjarët, pasi kishte probleme me drejtimin e velierës në det, për shkak të motit të keq.

Uniformat blu bëjnë me dije se mjeti lundrues u lokalizua në grykëderdhje të lumit Vjosë, i ngecur në cekëtinë.

Sipas policisë turisti gjerman ishte nisur me mjet lundrues veliere, nga Korfuzi në drejtim të Sllovenisë, por gjatë rrugës ai humbi kontaktet me familjarët e tij, gjatë drejtimit të mjetit lundrues në ujërat detare të Shqipërisë.

Pas disa orësh kërkime, u bë i mundur lokalizimi i mjetit lundrues në cekëtinë, në grykëderdhje të lumit Vjosë, së bashku me kapitenin, të cilit iu dha ndihma e parë dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Njoftimi i Policisë

Policia Kufitare e Vlorës i vjen në ndihmë një shtetasi gjerman, i cili kishte humbur kontaktet me familjarët, pasi kishte probleme me drejtimin e velierës në ujërat detare shqiptare, për shkak të motit të keq.

Mjeti lundrues u lokalizua në grykëderdhje të lumit Vjosë, i ngecur në cekëtinë. Pas marrjes së njoftimit nga Interpol Tirana, në kuadër të shkëmbimit të informacionit me zyrën homologe të Interpolit në Gjermani, se një shtetas gjerman, i cili ishte nisur me mjet lundrues veliere, nga Korfuzi në drejtim të Sllovenisë, kishte humbur kontaktet me familjarët e tij, gjatë drejtimit të mjetit lundrues në ujërat detare të Shqipërisë, menjëherë shërbimet e Policisë Kufitare kanë organizuar punën për kërkimin e mjetit lundrues dhe shpëtimin e shtetasit që e drejtonte atë.

Pas disa orësh kërkime, u bë i mundur lokalizimi i mjetit lundrues në cekëtinë, në grykëderdhje të lumit Vjosë, së bashku me kapitenin, të cilit iu dha ndihma e parë dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Në bashkëpunim me operatorët privat po bashkëpunohet për të bërë të mundur tërheqjen e mjetit lundrues nga cekëtina e grykëderdhjes së lumit Vjosë, për ta transportuar në portin e Vlorës.

Policia Kufitare e Vlorës është e angazhuar maksimalisht për të krijuar një ambient sa më të sigurt, për qytetarët dhe për vizitorët, si dhe për t’iu ardhur në ndihmë atyre, në rast nevoje./Albeu.com/


Shtuar 11.03.2023 13:38