Bushati: Rasti Haradinaj ka prekur palcën e Kosovës, normalizimi kërkon mëndjemprehtësi
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka komentuar në lidhje me arrestimin e Haradinaj. Sipas tij, arrestimi i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj është një akt i padrejtë dhe i dënueshëm. Ai ka shtuar më tej se lëshimi i fletë-arresteve nga Serbia dhe keqpërdorimi i Interpolit është një veprim i qëllimshëm që synon të destabilizojë Kosovën.

"Akuzat ndaj Ramushit e kanë zanafillën në 2004, kur asokohe kryeministër la detyrën për të shkuar në Hagë për tu ballafaquar me drejtesinë ndërkombëtare. Dy dhomat e Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavi e çliruan nga çdo akuzë.

Këto janë fakte të njohura botërisht. Për rrjedhojë, lëshimi i fletë arresteve nga Serbia, keqpërdorimi i Interpolit dhe shpërfillja e vendimeve të drejtësisë ndërkombëtare, është një veprim i qëllimshëm që synon të destabilizojë Kosovën, të denigrojë imazhin e një personaliteti dhe përmes tij të njollosë luftën çlirimtare të Kosovës.

Duke komentuar deklaratat e kryeministrit serb Vuçiç dhe të presidentit Nikoliç për ndalimin e Haradinajt, Bushati thotë se ata pretendojnë të nxjerrin kapital politik me Kosovën.

"Deklaratat e tyre dëshmojnë se jetojnë në të kaluarën e errët, duke bërë pjesë për fat të keq tek ata politikanë që ende mendojnë se mund të nxirret kapital politik me Kosovën. Përdorimi i “viktimologjisë”, si metodë politike, kombinuar me “teatralitetin” dhe “agresivitetin”, mund të prodhojë efekte befasuese në planin afatshkurtër, por është tërësisht kundërproduktive në planin afatgjatë.

Kreu i diplomacisë shqiptare është i mendimit se e gjithë kjo situatë do të ketë impakt në dialogun Kosovë-Serbi.

"Unë nuk mund të them se cilat do të jenë vendimet e Kosovës. Dialogu është një proces të cilin Shqipëria e ka mbështetur që në krye të herës. Duke besuar se është në të mirë të Kosovës dhe si pjesë e angazhimeve të saj me miqtë e partnerët, me Bashkimin Europian. Ky proces nuk bëhet për të kënaqur Serbinë, por për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy fqinjëve.

Pas gjashtë vite dialog, mendoj se ka ardhur koha për një “rivlerësim të angazhimeve”.

BE-ja duhet të jetë së pari e zëshme dhe e angazhuar për të parandaluar qëndrime dhe veprime që minojnë procesin e normalizimit. Duhet po ashtu të jetë më e angazhuar jo vetëm në arritjen e marrëveshjeve, por edhe për të siguruar zbatimin e tyre.

Në të kundërt, marrëveshjet do të kthehen në letra pa vlerë. Vini re paqartësinë që ekziston mbi murin që u ngrit në Mitrovicë. Një proces që u nxit e ndërmjetësua nga BE si proces për ndërtimin e urave po rrezikon të kthehet në ndërtim muresh. Siç ndodh në të tilla raste, një mur që kërkon veç pak ditë për t’u ngritur, kërkon vite për t’u kthyer në urë përmes bisedimesh e ndërmjetësimesh diplomatike.

Sa më shumë kalon koha po kristalizohet pikëpamja se Serbia është i llastuari i perëndimit e që në të njejtën kohë flirton me lindjen.

Që procesin e dialogut me Kosovën po e koncepton si një mundësi për t’u “rikthyer” në Kosovë, duke vënë në pikëpyetje funksionalitetin e shtetit më të ri të Europës. Dialogu me Kosovën i ka hapur Serbisë dyert e BE-së edhe pse Serbia vazhdon të refuzojë kokëfortësisht të bashkohet me qendrimet e BE-së në politikën e përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë.

Kontrasti nuk mund të jetë më i madh kur Kosovës i kërkohen gjykata speciale, i refuzohet lëvizja e lirë me kritere sui generis, i sugjerohen modele strukturash e rregullimesh të cilat, duke qenë të patestuara dhe duke pasur parasysh implikimin agresiv, të vazhdueshëm e të toleruar të Serbisë nga ana e BE-së, mund të rezultojnë të padobishme për funksionimin e saj në të ardhmen.

Rasti Haradinaj ka prekur palcën e Kosovës. Ndaj, nuk do të çuditesha që kjo ngjarje të ndikonte edhe në ecurinë e procesit të bisedimeve. Kush mund të mendojë se mund të shkohet në Bruksel për të rënë dakord për çështje shpesh herë delikate, kur ndërmerren veprime të tilla qëllimshëm destabilizuese?

Normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë kërkon mëndjemprehtësi, durim dhe vullnet të vazhduar. Normalizimi nuk do të ndodhë duke krijuar pengesa apo duke ngritur mure aty ku duhen forcuar urat e kontaktet". /albeu.com/

Shtuar më 09/01/2017, ora 10:44

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori