Lufta e klaneve po nis! Rama, e vetmja pikë lidhëse e PS, Taulanti kërkon një…rehabilitim

Nga Enton Abilekaj

Oborri i Partisë Socialiste u shndërrua dje në teatrin dramatik të pushtetit, që fshihej pas festës së 31-vjetorit. Të gjitha detajet tregonin se, pavarësisht pushtetit absolut të Ramës, përtej buzëqeshjeve të sforcuara që kishin veshur bashkëpunëtorët e tij, drama e pasardhësit ka filluar të luhet. Jashtë kontrollit të Kryetarit-Kryeministër, në zyrat e Bashkisë apo Kuvendit, edhe në zyra biznesesh, çuditërisht, në pikun e Pushtetit, e shohin Edi Ramën në ikje. Akti i parë niste sapo të ftuarit kalonin kordonin e sigurisë. Kryetari nuk ishte pritës, por i ftuar. Ata që prisnin ishin 3 sekretarë, por edhe një kryetar.

Erjon Veliaj, kryetari i bashkisë së Tiranës, pa asnjë pozicion në sekretariatin e Partisë, “priste krushqit” në vend të Edi Ramës. Sekretari organizativ, Blendi Klosi nuk ishte mikpritës i eventit, ndërsa shkëlqente prezenca e pashpjegueshme e Veliajt. Kush e kishte vendosur praninë e të deleguarit për Qarkun e Tiranës? Mund të ishte aty si mëkëmbës i Ramës, mund të ishte si i përzgjedhur nga Sekretari i Përgjithshëm me të cilin është afruar shumë kohët e fundit. Ose mund të ketë shkuar edhe me kokën e tij, siç bën ndonjëherë nëpër dasma dhe funerale, ku, për të kapur ndonjë votë paradhënie, reshtohet me të afërmit e protagonistit dhe mbledh dhuratat në dasma ose qan më shumë se ata në funerale.

Sa habiten njerëzit që e shohin e shpjegon ngritja e vetullave të Gramoz Ruçit, kur e pa ta priste Veliaj në partinë e tij. Ish- G99-ta u detyrua t’i sqaronte me kompleksin e inferioritetit, se ishte thjesht pritës krushqish, jo mëkëmbës i Ramës, as autor i mënjanimit të Taulantit.

Taulanti kërkon një rehabilitim

Kryetari i grupit parlamentar, ishte i humburi i madh i festës së Veliajt. Hyrja dhe dalja e tij as u panë dhe as u reklamuan nga organizatorët. Edhe në Facebook- un e Edi Ramës, u trajtua si një nga simpatizantët që pas shumë stërmundimesh ia dolën për një foto me shefin e madh. Foto që Taulanti nuk i pa të arsyeshme që të vendoseshin në kohështrirjen e tij në Facebook. I preferuari i shokut Gramoz, nuk dukej se kishte shumë aleatë as në grupin që drejton. Ndërsa Veliaj ndiqte më xhelozi marrëdhënien mes aleatit të tij të fundit, Damian Gjiknuri, me kryetarin që po i kërkon ta shpallë trashëgimtarin e vetëm në testamentin e parakohshëm politik, Taulant Balla ishte i detyruar te hidhte ndonjë sy shkarazi nga periferia ku ishte vendosur. Me pak nostalgji për kohën e bukur që kaloi me Veliajn dhe me shumë nostalgji për kohën kur shoku Gramoz ishte ende aktiv dhe ndikonte të Rama që ta mbante afër.

Rama i takon të gjithë më i vetmuar se kurrë

Betejën e nurmave 2 e fitoi Erjon Veliaj, megjithëse Rama nuk ia dha kënaqësinë e krahut të djathtë. Ai rri edhe mbrapa, mjafton mos të ketë njeri në krah. Kryetari u kujdes që të mos e favorizonte, por xhirot nëpër tavolina me grupe të vogla komplotistësh, treguan se ai nuk është kryetar sepse e duan, as sepse nuk bëhen zgjedhje në PS, por se përçarja është aq e madhe dhe aq e fraksionizuar, sa ai është e vetmja pikë lidhëse.

Edhe kur i kujtonte Majkos se nuk i kishte hequr akoma çorapet e kuqe me të cilat hyri në Qeverinë Nano në prill 1998, edhe kur takonte Arben Ahmetajn me një grup komforti, me kurriz nga drama e pushtetit, edhe kur zgjidhte Gramozin me kostumin bezhë të veshur enkas në një stil, edhe kur mundohej të dilte si star-i i grave socialiste apo si i preferuari i të kooptuarve të Veliajt në Asamble, dukej që ishte vetëm.

E qeshura e trishtuar e Majkos, apo edhe ajo inkurajuese e Ahmetajt, shoqërimi joenztuziast i Gramozit, imitimi i lodhshëm i gëzimit nga gratë e mirëmbajtura ministre dhe ish-ministre dhe habia e të kooptuarve të Veliajt, tregonin një njeri të vetmuar, që ka dështuar në gjithçka përveç lojës së Pushtetit.

Një lojë që mund të zgjasë përjetësisht dhe ai të fitojë gjithmonë, ose të ndërpritet papritur nga Arbitri kur Pushteti të trajtohet seriozisht.