Bushati i drejtohet ashpër Vuçiç: Gjeni forcë për të dënuar krimet tuaja
21 vjet bëhen sot nga masakra e Reçakut, masakër e cila shënoi pikën e kthesës në luftën që forcat Serbë po zhvillonin në Kosovë dhe solli reagimin e menjëhershëm ndërkombëtar.

Ish-Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i sapoemëruar si i dërguar i Posacëm i Presidencës së OSBE-së ka përkujtuar sot masakrën e Reçakut në Kosovë të ndodhur para 21 vitesh.

Një mesazh të drejtpërdrejtë Bushati ka për Presidentin Serb, Vuçiç, ndërsa thotë që “çdo mohim i krimeve të kryera apo relativizim i së keqes i vë krusmën ardhmërisë së përbashkët europiane të popujve të Ballkanit Perëndimor”.

Statusi i plotë

Sot nderojmë kujtimin e atyre që humbën jetën në masakrën e Reçakut dhe masakrave të tjera të kryera nga forcat serbe në #Kosovë. 21 vjet më parë në #Reçak u organizua një prej masakrave më mizore që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në #Europë. Kjo zgjoi ndërgjegjen e komunitetit ndërkombëtar dhe solli ndërhyrjen vendimtare të NATO-s që i dha fund spastrimit etnik dhe katastrofës humanitare në Kosovë.

Historia na mëson se edhe shtete të tjera që kanë përgjakur Europën kanë gjetur forcën për të dënuar krimet e kryera duke u distancuar prej tyre, kanë kërkuar ndjesë publike dhe janë investuar në projektin e paqes dhe ripajtimit. Është koha që në Ballkan procesi i ripajtimit dhe bashkëjetesës demokratike e paqësore të ndjek shembuj të tillë. Sepse çdo mohim i krimeve të kryera apo relativizim i së keqes i vë krusmën ardhmërisë së përbashkët europiane të popujve të Ballkanit Perëndimor. #KurrëMë!
Shtuar më 15/01/2020, ora 12:50

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori