"Burri me mustaqe" që mund t'i shkaktojë dëme shqiptarëve te Donald Trump
Pozita e këshilltarit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë është shumë e rëndësishme. Personi që mban këtë post sigurisht që ka ndikim të madh dhe influencon te shefi i shtetit amerikan në vendimmarrje. H. R. McMaster, i cili ka mbajtur këtë pozitë, pak më shumë se një vit, tani duke pasur afër vetes edhe një këshilltar me origjinë nga Kosova, Ylli Bajraktarin, është larguar nga kjo pozitë nga Trumpi.

Aty po vjen republikani John Bolton, i cili ishte konsideruar edhe për postin e sekretarit të Shtetit, por thuhet se nuk ishte pëlqyer nga Trump për shkak të mustaqeve. Bolton ka një rekord të keq sa u përket deklaratave për Kosovën

John R. Bolton nuk është i panjohur në botën e diplomacisë. Në administratën e Presidentit Bush të Riut, ai kishte mbajtur një post të rëndësishëm në Kombet e Bashkuara, atë të ambasadorit. Bolton kishte dhënë dorëheqje pasi vështirë se do të konfirmohej nga Senati me shumicë të demokratëve.

Por, Bolton menjëherë ishte bërë i njohur për Kosovën, saktësisht në vitin 2008. Kur Kosova kishte shpallur pavarësinë, ai ishte paraqitur me disa deklarata kundër shtetit të Kosovës.

Bolton ishte shprehur kundër pavarësisë “së njëanshme”, sepse vlerësonte që kjo është mënyra e vetme për ta mbajtur paqen dhe stabilitetin në rajon.

Atë botë, Bolton vazhdonte të shfaqte qëndrimin kundër administratës amerikane të udhëhequr nga Bush, duke thënë se shtetet e rajonit nuk duhet ta njohin Kosovën, pasi “bëhet fjalë për konceptin që njerëzit me origjinë të ndryshme etnike të jetojnë bashkë në kuadër të kufijve të shteteve heterogjene”.

Bolton kishte qenë edhe pjesë e administratës së Ronald Reagan, ndërkohë që funksione të larta kishte mbajtur gjatë mandateve të dy presidentëve Bush.

The Economist kishte shkuar se ai është ambasadori më kontrovers që SHBA-të e kishin dërguar ndonjëherë në OKB.

“Precedenti i Kosoës do të mundë të shndërrohet në problem për vendet e ish-Jugosllavisë dhe Evropës që janë multietnike”, kishte thënë Bolton i cili dje u emërua në postin e këshilltarit Nacional për Siguri Kombëtare.

“Ende mendoj se mënyra e vetme që të ruhet paqja dhe stabiliteti në rajon është vazhdimi i negociatave, kësaj nuk i ka kontribuar vendimi shumë i ngutshëm për njohjen e pavarësisë së Kosovës”, kishte thënë Bolton më 2008 për Zërin e Amerikës.

Madje, Bolton e kishte përmendur edhe ndarjen e Kosovës duke thënë se pjesët e banuara me serbë do të orientohen nga Serbia dhe do të provojnë që të ndahen nga Kosova.

“Por, kjo nuk i zgjidh çështjet tjera siç janë të drejtat qytetare të serbëve dhe grupeve tjera etnike që mbesin në Kosovë”, kishte thënë ai.

Ish-ambasadori amerikan kishte thënë se fakti që Rusia, Kina dhe India dhe disa fuqi tjera të mëdha nuk e kanë njohur pavarësinë e njëanshme të Kosovës, shkakton përkeqësim të raporteve të Moskës dhe Washingtoni, si dhe konfrontime të reja në Ballkan.

“Pasi që çështja e statusit të Kosovës u zgjidh kundër vullnetit të Beogradit, por edhe të fuqive tjera, siç është Rusia, Kina nuk ka dyshim që me kalimin e kohës ky problem lokal do të mundë të çonte në tensione ndërmjet Washingtonit dhe Moskës e potencialisht edhe me shtetet tjera, që nuk është në interesin e askujt’, kishte thënë Bolton.

Ndryshe, Bolton ishte përmendur edhe si një kandidat potencial për Sekretar të Shtetit, por në media, kishte qarkulluar një teori se Trump nuk i pëlqente mustaqet e tij të trasha. Bolton konsiderohet politikan i linjës së ashpër, shumë më i ashpër se pasardhësi i tij, Mc Master. Ai madje angazhohet hapur për bombardimin e Koresë së Veriut. Mbetet të shihet nëse qëndrimet e tij për Kosovën kanë ndryshuar, apo si do të ndikojnë ato në linjën që është duke mbajtur SHBA-ja ndaj Kosovës.


Shtuar më 23/03/2018, ora 11:12

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori