Burns: SHBA dhe BE me vota të mjaftueshme për rezolutën e Kosovës
Albeu.com
Ndihmësekretari amerikan i Shtetit, Nikolas Burns tha se Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane i kanë votat e mjaftueshme për të siguruar miratimin në Kombet e Bashkuara të një rezolute e cila do ta vinte Kosovën në rrugën e pavarësisë.Në një takim të organizuar mbrëmë në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë në Uashington, Bërns tha gjatë muajit maj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së do të ketë një lëvizje shumë të shpejtë drejt një rezolute të tillë.
"Gjatë muajit të ardhshëm besoj se do të shikoni një lëvizje shumë të shpejtë drejt një rezolute e cila do të krijojë një proces që do të çojë në pavarësinë e Kosovës” tha Bërns. Sipas tij pas përfundimit të vizitës së anëtarëve të Këshillit të Sigurimit në Kosovë e Serbi, do të ketë një periudhë të shkurtër kohe para se Shtetet e Bashkuara të paraqesin së bashku me disa vende të tjerë një rezolutë e cila në fakt do të shfuqizonte rezolutën 12-44 të qershorit 1999 .Nënsekretari amerikan i Shtetit tha se qysh tani Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane pothuajse i kanë votat e mjaftueshme në Këshillin e Sigurimit. “Mendoj se jemi pranë një pike kur ne kemi tashmë vota të mjaftueshme për ta kaluar këtë rezolutë që sot “, pohoi Bërns. Shtetet e Bashkuara tha ndihmës sekretari i shtetit, shpresojnë se Serbia do ta kuptojë se Amerika dëshiron një të ardhme pozitive për të. Ne nuk dëshirojmë, që ky vendim shumë i dhimbshëm dhe i vështirë për pavarësinë e Kosovës të prishë mundësinë e marrëdhënieve të mira mes Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë. Burns u bëri thirrje udhëheqësve të Kosovës që të tregohen të përgjegjshëm në qëndrimin e tyre ndaj pakicës serbe: Ai po ashtu iu bëri thirrje udhëheqjes së shqiptarëve të Kosovës që të garantojë se në rrugët e Kosovës do të ketë paqe, se nuk do të ketë provokime ose demonstrata kundër serbëve, se nuk do të ketë sulme kundër kishave serbe, shtëpive serbe ose civilëve serbë. Duke bërë aluzion për një veto të mundshme të Rusisë, zoti Burns u shpreh se kjo do të thotë që t’i kërkosh Evropës, Shteteve të Bashkuara dhe ushtarëve në terren të marrin të gjithë përgjegjësinë për situatën shumë të vështirë që mund të krijohej në një rast të tillë. Ndihmessekretari i Shtetit tha se ekziston marrëveshje absolute mes vendeve evropiane dhe Shteteve të Bashkuara se nuk do të merret parasysh asnjë ide për ndryshim kufijsh, pra asnjë propozim për ndarje si pjesë e një zgjidhjeje për Kosovën. rtk
Shtuar më 17/04/2007, ora 14:57
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori