Burns garanton Bushatin për mbështetjen e SHBA-së në proceset integruese
Gjatë qëndrimit të tij në Uashington, Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati, zhvilloi një takim në Departamentin amerikan të Shtetit me Zv/Sekretarin e Shtetit, z. William Burns.

Ministri Bushati vlerësoi miqësinë dhe partneritetin e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe vullnetin e angazhimin për t’i konsoliduar dhe për t’i strukturuar më tej ato. Ministri Bushati theksoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë, si vend anëtar i NATO-s, për të kontribuuar dhe inkurajuar stabilitetin dhe paqen në rajon dhe me gjerë.

“Angazhimi i përhershëm amerikan në rajonin e Ballkanit Perëndimor është i një rëndësie jetike për sigurinë dhe konsolidimin demokratik të rajonit”, u shpreh Ministri Bushati.

Një vëmendje e veçantë, gjatë takimit, iu kushtua tensioneve në rritje në Ukrainë dhe rrezikut të pasojave destabilizuese për Evropën lindore dhe me gjerë. Në këtë kontekst Zv/Sekretari i Shtetit vlerësoi qëndrimet dhe vendimet e Qeverisë shqiptare, e cila ka kontribuuar me dërgimin e vëzhguesve në Ukrainë.

Gjithashtu, z. Burns shprehu vlerësimin për angazhimet konkrete të Shqipërisë, krahë Shteteve të Bashkuara, në një sërë çështjesh dhe sfidash ndërkombëtare, kontributet e Shqipërisë në kuadër të NATO-s, si dhe rolin dinamik dhe konstruktiv të Shqipërisë në rajon.

Ai siguroi për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në proceset integruese të Shqipërisë dhe inkurajoi vazhdimin e reformave te nisura.

Në përmbyllje të vizitës së tij në Uashington, Ministri Bushati vijoi bisedimet me homologët e tij të pranishëm në konferencën e Këshillit të Atlantikut. /albeu.com/
Shtuar më 01/05/2014, ora 13:50

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori