Burgu 313 me kushte çnjerëzore
Pëlqej
Avokati i Popullit rekomandon mbylljen e paraburgimit “Jordan Misja”, që njihet si Burgu 313. Pas një inspektimi të bërë në këtë institucion të ekzekutimit të vendimeve penale, nga ana e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës pranë këtij institucioni, është dalë në përfundimin se kushtet janë të papërshtatshme për mbajtjen e të paraburgosurve brenda qelive të 313-ës.

“Në përfundim inspektimi, pasi u njoh me të gjitha konstatimet e grupit inspektues si dhe me problematikat e ngritura nga ana e të dënuarve dhe të paraburgosurve, Avokati i Popullit parashtroi konkluzionet përfundimtare, duke rekomanduar si vijon: Marrjen e masave për mbylljen e këtij paraburgimi, si i papërshtatshëm me standardet e trajtimit të të paraburgosurve, të parashikuara në legjislacionin kombëtar dhe ndërkombëtar”, thuhet në raport.

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto, tha se që prej vitit 2010, Komiteti i Parandalimit të Torturës (CPT), me Qendër në Strasburg, ka rekomanduar mbylljen dhe rindërtimin e këtij paraburgimi ose ngritjen e një paraburgimi të ri në Tiranë. Një gjë e tillë, thekson Zoto, nuk është bërë e mundur për mungesë fondesh, edhe pse natyrisht është një ndër projektet prioritare të institucionit që drejton.

Paraburgimi “Jordan Misja”, konsiderohet si më i madhi në vend dhe në të janë izoluar ndër vite persona të një rrezikshmërie të lartë, që nga anëtarë bandash kriminale, vrasës apo dhe personazhe të një kategorie tjetër, siç janë zyrtarë apo ish-zyrtarë të lartë të dyshuar, e madje dhe të dënuar për akuzën e korrupsionit apo vepra të tjera penale.
Shtuar më 20/08/2014, ora 09:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori