Burg për 4 policët e Qafë Thanës, që lejuan të kalonte kamionin me drogë
Katër policët e arrestuar pasi lejuan kalimin e kamionit me 8 tonë drogë në Qafë Thanë, me destinacion Italinë janë lënë sot në burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Çlirim Pepa, me detyrë përgjegjës turni; Ervin Kodra me detyrë kontrollor hyrje dhe dalje; Lirim Halili me detyrë tek kabina në hyrje si dhe Syrja Terziu me detyrë kontrollor në hyrje, mbetën në burg pas vendimit të sotëm të Gjykatës në Tiranë.

Ngjarja ndodhi më 4 shkurt 2017 ku kamioni me drogë mbërriti në Itali dhe në të dyja pikat e kalimit, hashashi nuk u pikas, madje kamioni nuk u regjistrua në hyrje në Qafë Thanë.

Sasia e drogës u zbulua nga autoritet italiane pasi mbërriti në Ankona.

Sipas prokurorisë kamioni me drejtuesin maqedonas ka hyrë në Shqipëri në muajin shkurt në pikën e kufirit në Qafë Thanë të Pogradecit. Pasi i është nënshtruar verifikimeve doganore është lënë i lirë për të udhëtuar transit.

Në portin e Durrësit i njëjti kamion i është nënshtruar procedurave të kontrollit të dokumentacionit por pa u kontrolluar në skaner ai është lejuar të vazhdojë udhëtimin drejt Italisë./Albeu.com/
Shtuar më 27/03/2017, ora 12:07

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori