Bulqizë, 5 minatorë tentojnë të vetëdigjen
Pesë minatorë të zonës D kanë tentuar të vetëdigjen në shenjë proteste. Prej 10 ditësh minatorët nuk punojnë pasi ministria e Energjetikës ka mbyllur galeritë për shkak të mos plotësimit të kushteve të sigurisë.

Kreu i sindikates Agron Basha thotë se janë 105 të cilët prej 10 ditësh nuk punojnë dhe se askush nuk i ka dhënë një përgjigje se çfarë do të ndodhë me ta.

"Ishte një ndërhyrje e jona e rastësishme që ndaluam minatorët për të shkaktuar këtë tragjedi", thotë Agron Basha në një prononcim për A1 Report.

Galeritë ku punojnë minatorët janë dhënë nga ACR kompanisë nënkontraktore Albanian Chrome shpk të Samir Manes.

Vendimi është marrë më 1 nëntor të këtij viti nga Ministri i Energjetikës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri mbi argumentin se kompania nuk ka kryer investime për të stabilizuar situatën dhe infrastrukturën në galeritë e minierave, investime të cilat ishin detyrim i parashikuar në kontratën koncensionare, e specifikisht në zonën më të rëndësishme dhe njëherësh më problematike të koncensionit, zonën D në minierën e Bulqizës.

Kontrolli i nisur nga ministria e Energjetikës dhe Industrisë në tetor të 2013-ës zbuloi se galeritë kishin probleme serioze dhe mangësi të mëdha. Në këto 3 vitet e fundit, janë rreth 70 punëtorë që kanë humbur jetën në galeritë e kromit. /albeu.com/
Shtuar më 18/11/2013, ora 15:02

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori