Bugajski: Kosova nuk duhet te fleje
Albeu.com
Analisti i çështjeve evropiane dhe ballkanike, Janusz Bugajski, ka vlerësuar se hapja e ambasadave të Kosovës në kryeqytetet perëndimore është një ngjarje shumë e rëndësishme për praninë e saj në skenën ndërkombëtare.
Sipas analistit Bugajski, “Kosova nuk është më në krye të listës së problemeve të Ballkanit, por aktualisht është Bosnja, e cila ka tani disa vështirësi në funksionimin shtetëror dhe në rrugën drejt Bashkimit Evropian”. Së dyti, sipas tij, është Maqedonia, e cila po përballet me kundërshtimet e Greqisë lidhur me emrin, temë që po mban pezull anëtarësimin e saj në NATO dhe në Bashkimin Evropian".
Nga ana tjetër, sa i takon Kosovës, “ajo ka pasur disa zhvillime të rëndësishme; njohja nga Mali i Zi, njohja nga Maqedonia, pra, njohja nga shumica e fqinjëve, tha Bugajski.

“Hapi tjetër do të duhet të jetë një veprimtari më aktive ndërkombëtare për të shtuar numrin e vendeve që e njohin pavarësinë, dhe për t’u anëtarësuar në institucionet ndërkombëtare. Gjithashtu ata duhet të parandalojnë ndonjë ndarje, për të cilat bëhet presion nga serbët”, tha ai.

“Mendoj se është mirë për Kosovën që të jetë jashtë titujve kryesorë të shtypit ndërkombëtar”, tha analisti Bugajski, por nga ana tjetër, sipas tij, “ajo nuk duhet të bjerë në gjumë (si sleep mode e një kompjuteri), përkundrazi duhet të jetë më aktive”.

Sipas Bugajskit, “më e mira do të ishte tani ngritja e një ekonomie produktive, përfshirja e saj në mekanizmat rajonale të biznesit dhe në nismat rajonale të Evropës Juglindore, të vendosë marrëdhënie të ngushta me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe të vazhdojë fushatën për njohjen e pavarësisë kudo nëpër botë”.

Ka shumë mundësi të tjera për këto njohje, siç janë vendet muslimane, dhe për këtë, sipas tij, mund të ndihmojë edhe Shqipëria.

“Rusia - tha Bugajski - do të dëshironte që Kosova të ishte një shtet i ngrirë, sepse ajo nuk ka zhvillim ekonomik dhe nuk është ende anëtare e institucioneve ndërkombëtare, dhe në këtë gjendje mund të shihet si një dështim i NATO-s dhe BE-së, të cilat po përpiqen ta bëjnë Kosovën një çështje të suksesshme. Kështu, suksesi i Perëndimit me Kosovën do të jetë një dështim për Rusinë".

Por, sipas analistit Bugajski, nëse Serbia ecën drejt anëtarësimit në NATO dhe Kosova shihet praktikisht si e pavarur, Rusia nuk mund ta përdorë më Serbinë si një avantazh. “Nëse Serbia kthen sytë nga Perëndimi, kjo është një humbje për Rusinë. Moskës i intereson që Serbia të mbetet jashtë integrimeve, sepse i nevojitet si një pikëmbështetje në rajon”, tha ai. (VOA)
Shtuar më 29/10/2008, ora 02:52
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori