Buçkovksi humbet postin e kryetarit
Albeu.com
Vllado Buçkovski humbi besim e partisë pas humbjes së zgjedhjeve Kryetari i partisë më të madhe opozitare Lidhjes Social Demokrate maqedonase, Vllado Buçkovski, ka humbur postin e kryetarit. Ish kryeministri e humbi besimin te shumica e delegatëve, të cilët të djelën në orët e hershme të mëngjesit i shprehën mosbesim.Prej afro 540 delegatëve partiakë, atij mosbesim i shprehën 339 që në fakt ai e ka humbur postin e kryetarit të kësaj partie.

Delegatët e kanë kritikuar Buçkovskin dhe udhëheqjen e deri tashme për shkak të rezultateve të dobta të treguara në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Sipas statusit të kësaj partie, me mosvotimin e kryetarit të partisë automatikisht shkarkohen të gjitha organet partiake.

Po në konventën e së shtunës është marrë qëndrim që të mërkurën Kryesia Qendrore të formojë grupin punues, i cili do të obligohet që brenda 30 ditëve të ardhshme të thërresë kongresin partiak.

Vllado Buçkovski në postin e kryetarit të LDM-së erdhi para dy vitesh, pas zgjedhjes së kryetarit të atëhershëm Branko Cërvenkovski president që më pas të marrë edhe postin e kryeministrit.

Në humbjen e postit të kryetarit kanë ndikuar edhe zënkat midis Vllaldo Buçkovskit dhe presidentit Branko Cërvenkovski.

Menjëherë pas publikimit të rezultateve, nënkryetarja e deritashme Radmilla Sheqerinska, e cila e ka sfiduar Vllado Buçkovskin, ka paralajmëruar se është e gatshme që të paraqesë kandidaturën e saj për kryetar të ardhshëm të Lidhjes Social Demokrate maqedonase.

Nëse ndodh që Radmilla Sheqerinska të marrë postin e kryetarit të Lidhjes Social Demokrate atëherë do të jetë hera e parë që një femër do të gjendet në ballë të një partie me ndikim të dukshëm në jetën politike në Maqedoni.

Është hera e parë, që nga formimi i kësaj partie, e cila llogaritet si pasaardhëse e Lidhjes Komuniste që t'i shprehjet mosbesim kryetarit të saj.

Para mbajtjes së konventës si Vllado Buçkovski edhe Radmilla Sheqerinska paralajmëruan se do t'i njohin rezultatetet e dala nga konventa dhe do të angazhohen për forcimin e partisë.

Por vëzhguesit nuk përjashtojnë mundësinë edhe të një përçarje pas saj të Tito Petkovskit vitin e kaluar. bbc
Shtuar më 09/10/2006, ora 10:19
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori