BSH, Fullani-punonjësve: Mprihni shqisat e skepticizmit
Pëlqej
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani ka takuar dy ditë më parë të gjithë punonjësit e këtij institucioni. Lajmi bëhet i ditur në faqen zyrtare të Bankës së Shqipërisë, ku thuhet se Fullani ka takuar punonjësit e tij nëpër zyra, ku edhe iu ka kërkuar që të mprehin shqisat e skepticizmit profesional.

Në të njëjtën kohë, kreu i Bankës së Shqipërisë i ka kërkuar personelit që të rrisë bashkëpunimin në funksion të zbatimit me rigorozitet të kuadrit ligjor dhe rregullator në fuqi.

"Në vijim të mbledhjeve të posaçme të Këshillit Mbikëqyrës, pas një analize të hollësishme dhe të përgjegjshme të situatës së krijuar nga akti i shëmtuar i vjedhjes në Departamentin e Emisionit, administrimi i Bankës së Shqipërisë organizoi një takim të posaçëm me punonjësit e Bankës. Administrimi i Bankës së Shqipërisë i tërhoqi vëmendjen personelit të Bankës së Shqipërisë që të mprehë shqisat e skepticizmit profesional dhe të rrisë bashkëpunimin në funksion të zbatimit me rigorozitet të kuadrit ligjor dhe rregullator në fuqi", citohet në faqen e bankës.

Më tej, në njoftim sqarohet se "Këshilli Mbikëqyrës dhe administrimi i Bankës së Shqipërisë beson se punonjësit e Bankës kanë ekspertizën teknike, përgatitjen profesionale, integritetin moral dhe kthjelltësinë në vendimmarrje për rikuperimin e situatës dhe përsosmërinë e veprimtarisë së saj".

Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme ka vijuar aksioni i shoqërisë civile për mbledhjen e firmave të qytetarëve, me qëllim dërgimin në Kuvend të peticionit, ku kërkohet shkarkimi i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Deri më sot në kryeqytet e rrethe janë mbledhur 3200 firma për shkarkimin e kreut të BSH. /albeu.com/
Shtuar më 10/08/2014, ora 13:18
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori