BSH deklarate për stabilitetin financiar
Gjatë 6 mujorit të dytë të vitit 2013, gjendja dhe ecuria e sektorit bankar dhe e sistemit financiar u paraqit e qëndrueshme me gjithë rritjen më të ulët ekonomike.


Në deklaratën periodike të Bankës së Shqipërisë, e cila është pjesë përbërëse e Raportit të Stabilitetit Financiar për të njëjtën periudhë thuhet se kuadri makroekonomik është karakterizuar nga një luhatshmëri e ulët në kursin e këmbimit dhe presione të dobëta inflacioniste me gjithë lehtësimin e politikës monetare.


Ndërkohë, kostoja e huamarrjes së Qeverisë ka rënë në mënyrë të ndjeshme pavarësisht nga rritja e deficitit buxhetor dhe borxhit publik.

“Realizimi i marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar është një hap i rëndësishëm për të siguruar stabilitetin makroekonomik dhe për të stabilizuar pritshmëritë e agjentëve ekonomikë. Megjithatë, përshpejtimi i rritjes ekonomike merr rëndësi parësore për vendosjen e aktivitetit financiar në një prirje të qëndrueshme rritëse. Në tregjet financiare, vëllimi i tregtimit dhe numri i transaksioneve kanë qenë të qëndrueshme. Për sektorin bankar, treguesit e kapitalizimit dhe të likuiditetit të veprimtarisë ishin në nivele të kënaqshme, mbështetur edhe nga përmirësimi i rezultatit financiar neto. Vëllimi i aktivitetit bankar u zgjerua me ritme të ngadalësuara, teksa depozitat u rritën me ritme më të ngadalta dhe kreditimi u tkurr”, thekson Banka e Shqipërisë.

Sipas saj, ritmi vjetor i rritjes së kredisë me probleme ka shënuar nivelin më të ulët që prej vitit 2008. Rreziku i kreditit përfaqëson sfidën më të rëndësishme të veprimtarisë së sektorit bankar, por madhësia e tij pritet të jetë më e kontrollueshme dhe të nisë një prirje rënëse graduale në të ardhmen afatshkurtër. /albeu.com/

Shtuar më 27/05/2014, ora 11:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori