Bruksel, debati PD-PS vazhdon edhe para eurodeputeteve në Brukse
Albeu.com
Takimi i parë BE-Shqipëri që po mbahet në Bruksel nisi me shqetësimin e eurodeputetëve për krizën politike në Shqipëri. “Lajmet që vijnë nga Tirana janë shqetësuese, situata është e komplikuar”, ka deklaruar një eurodeputet i majtë, raporton Top Channel.Ndërsa drejtori për zgjerimin me Ballkanin në Komisionin Europian, Pjer Mirel përsëriti qëndrimin se kriza do të ndikojë në opinionin për cështjen e statusit kandidat.
“Greva e urisë është diçka pozitive për të marrë statusin e kandidatit? Parlamenti shqiptar nuk po funksionon që prej 8 muajsh dhe ne do ta kemi parasysh këtë në opinionin tonë”, tha Mirel.
Nga ana e tyre, deputetët socialistë shqiptarë kanë thënë se “greva e urisë ishte një domosdoshmëri”. “Greva e urisë nuk ishte zgjedhje, por detyrim para kapriçove të qeverisë”, ka deklaruar Valentina Leskaj.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit demokrat Jemin Gjana, i cili ka theksuar se nëse PS kërkon një zgjidhje, duhet të respektojë Kushtetutën. “Zgjidhja duhet të jetë në përputhje më kushtetutën”, ka theksuar Gjana.
Eurodeputeti socialdemokrat Victor Boshtinaru u shpreh në mbështetje të PS, ndërsa eurodeputetët e tjerë kërkuan që Brukseli të ndikojë në zgjidhjen e çështjes dhe uljen e palëve në tryezën e bisedimeve.
Ndërsa deputetja e PD, Mesila Doda ka shprehur gatishmërinë e mazhorancës për t’i lejuar opozitës drejtimin e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit.
“Kemi ngritur komisionin hetimor, mund të vijnë që nesër ta marrin drejtimin e tij, por gjithmonë duke respektuar kushtetutën”, ka deklaruar Doda, fjalimi i të cilës është mbështetur nga deputeti Fatos Beja. “Vendi juaj është në Parlament, aty mund të diskutohet çdo gjë, brenda ligjit”, ka thënë Beja.
Por deputeti socialist Sajmir Tahiri ka replikuar duke theksuar se kërkesa e PS për hapjen e kutive është tërësisht legjitime.
“Ne e kemi lexuar Kushtetutën dhe kemi kërkuar komision hetimor sipas ligjit. Është mungesa e vullnetit politik që nuk lejon hetimin e zgjedhjeve”, është shprehur ai.
Shtuar më 04/05/2010, ora 04:07
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori