Britania e Madhe përkrahë pavarësinë e Kosovës
Albeu.com
Drejtori i politik në Ministrinë e Jashtme të Britanisë së Madhe, Mark Lajall Grant, la të kuptohet sot në Prishtinë se Britania e madhe e përkrahë pavarësinë e Kosovës. Për këtë arsye, ai kërkoi nga qytetarët dhe nga udhëheqësit kosovarë që të kenë edhe pak durim deri në miratimin e rezolutës së re për Kosovën në KS.Ai tha se tash për tash nuk ka alternativë tjetër dhe se miratimi i rezolutës, që do të marrë pak javë, do të bëhet në bazë të propozimit të Ahtisarit.
Drejtori politik në Ministrinë e Jashtme të Britanisë së madhe, Mark Lajall Grant tha sot në Prishtinë se miratimi i rezolutës së re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit do të marrë edhe pak javë, por nuk dha ndonjë datë apo afat kohor.

Pas takimeve me presidentin Fatmir Sejdiu dhe me liderin e PDK-së, Hashim Thaçi, Grant tha se procesi i statusit ka hyrë në një fazë të re në Këshillin e Sigurimit, që çon në miratimin e rezolutës për Kosovën. Ai kërkoi nga qytetarët dhe nga udhëheqësit kosovarë që të kenë durim deri në miratimin e rezolutës së re në Këshillin e Sigurimit.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme që të keni durim deri në miratimin e rezolutës së re, me një vendim të drejtë, se sa të shpejtohet. Por shpresojmë se kjo rezolutë përfundimisht do të sjellë qartësi rreth statusit të ardhshëm të Kosovës”, ka thënë Grant.

Duke lënë të kuptohet se qeveria britanike e përkrahë pavarësinë e Kosovës, drejtori politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Mark Lajall Grant, i inkurajoi institucionet dhe liderët kosovarë për përgatitjen e periudhës së transicionit.

“Është shumë e rëndësishme që puna që është bërë nga institucionet të çojë tek krijimi i një besimi më të madh tek të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe komunitete joshqiptare. Ata duhet të binden se ka të ardhme për ta, për familjet dhe për fëmijët e tyre në një Kosovë të pavarur. Qeveria britanike do të përkrah Kosovën ta arrijë këtë qëllim”, ka thënë Grant.

Ai tha se, tash për tash, plani i Ahtisarit nuk ka alternativë tjetër, duke shprehur qëndrimin e Britanisë së Madhe se nuk dëshiron ndryshime në këtë plan.

Ndërkaq, liderë kosovarë e falënderuan dhe çmuan lartë përkushtimin e vazhdueshëm të Britanisë së Madhe për Kosovën.

Presidenti Fatmir Sejdiu shfaqi besimin se së shpejti do të miratohet rezoluta e re në KS, e cila do ta shfuqizojë rezolutën 1244 dhe do të hapë perspektivën e zhvillimit të Kosovës.

“Ne besojmë se procesi do të shkojë mirë, besojmë se do të miratohet rezoluta në KS, në bashkëpunim me të gjitha vendet anëtare të KS. Po ashtu Kuvendi i Kosovës do të bëjë aktin e vetë të nevojshëm për të rikonfirmuar vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës dhe për të hapur procesin e ri të zhvillimit të Kosovës”, tha presidenti Sejdiu.

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi tha se procesi i statusit të Kosovës është komplikuar në Nju Jork, por edhe ai shprehu bindjen se miratimi i rezolutës do të bëhen në kohën e duhur.

“Natyrisht se kemi një proces pak sa të komplikuar në Nju Jork, por unë besoj se edhe ky debat i brendshëm në mes të faktorëve ndërkombëtarë të jetë një debat produktiv dhe do të kemi vendimin në kohën e duhur, një vendim që do të respektohet nga qytetarët e Kosovës e që do të mirëpritet nga institucionet e Kosovës”, ka theksuar Hashim Thaçi.

Drejtori politik në Ministrinë e Jashtme të Britanisë së Madhe, Mark Lajall Grant, u takua edhe me shefin e UNMIK-ut Joakim Ryker dhe me liderin e ORA-s, Veton Surroi. Ndërsa me kryeministrin Agim Çeku ka mbajtur një drekë pune.

Pas vizitës në Beograd, z. Grant është ndalur në Mitrovicë, ku gjatë takimit me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Serb të pjesës veriore të Mitrovicës, ka theksuar se Këshilli i Sigurimit, sipas të gjitha gjasave, brenda disa javëve, do të miratojë rezolutën e re e cila do të çojë drejt pavarësisë së Kosovës. rtk
Shtuar më 23/05/2007, ora 15:22
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori