Brezit të makiatos!
nga Arnold Skenderaj -

Drejtuar neve brezit të makiatos pasardhës të brezit të Shqiptarit të Ri revolucionar. Drejtuar neve që dijmë çdo gjë për popujt e tjerë por çdo gjë që e dimë për veten e kemi mësuar gjysmë të vërtetë, veç se gjysmë e vërteta është edhe më e rrezikshmja! Drejtuar neve që më fuqinë që të jep forca e madhe e injorancës ngatërrojmë keq dhe turpërojmë ato që luftuan dje (edhe me pendë) me idenë që nuk do i zhgenjenim sot!

Neve që shqiptarinë e kuptojmë aq sa është sot dhe vëllezërit e ngelur jashtë oborrit tonë i quan Kosovarë dhe Maqedonas! Ndërsa për shqiptarët tjerë në veri të Greqisë, Çamët e përzënë nga toka e gjakut i kujton se janë lagje që kanë edhe treg diku në Tiranë. Ndërsa për Malin e Zi që Bushatllinjtë e kishin lagje të Shkodrës e pjesën më të madhe te tokave e ka me troje shqiptare, ashtu si ne nuk ja ke idenë as nuk do t’ia dish. Shqipen e çalë që flasin në troje të Serbisë sot neve nuk na e thanën se e kanë trashëguar mot e ti prapë s’don ta dish.

Për të mbrojtur Shqipërinë Londineze që njohim sot por edhe për Shqipërinë para Londineze që ishte deri dje janë mbledhur burra patriotë në Prizren nga të gjithë ato cepa shqypnie që përmenda më lart. Janë mbledhur në vitin e largët 1878 kur Tirona pak njihej, tek ai kubi i vogël i bardhë (qesh me vete) se ashtu na e mësuan Sllavët me ndihmën e shqiptarëve që nuk e di nga dolën! Gërmat e alfabetit që përdorim sot dhe shpesh i përdorim plot gabime kur prekim ekranin me taç, i vendosen disa burra të mençur që u mblodhen në Manastir në Nentorin e vitit 1908 kur Drimadhen e njihnin vetëm banorët e vet. Edhe flamurin me Shqiponjën Dykrenore burrat e mençur të mëmëdheut kishin vendosur ta ngrinin në Gusht të vitit 1912 jo në Durrës as në Vlorë por në Shkup, por se Lufta e Parë Ballkanike dhe mosmbajtja e fjalës nga xhonturqit u’a prishi planet dhe aspiratat.

Foton që kishim në mend ta bënim për festat e Pavaresisë dhe Çlirimit nga nazistët por defakto fillesë e pushtimit nga Sllavët, e ta postonim që të marrim like-ra mos ta bëjme pa menduar mirë se kush dhe si u impenjua që të jemi këto që jemi sot dhe si duhet të jemi nesër! Kujdes makiaton se po ftohet!
Shtuar më 28/11/2018, ora 16:08

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori