Bregu: Koha për një qëndrim të qartë për procesin e anëtarësimit të Ballkanit
Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së mori pjesë në Konferencën e “Miqve të Europës” për të ardhmen e Ballkanit

Bruksel – “Koha për t’i dhënë fund shtirjes!

BE-ja duhet të respektojë Traktatin e vet e të ketë një qëndrim të qartë për procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor. Falënderojmë Presidenten Ursula von der Leyen të Komisionit Europian që ka artikuluar vizionin e Europës si kontinent.


Në shpresojmë që ky do të jetë objektivi dhe qasja e të gjitha Shteteve Anëtare të BE-së. Ndërsa ne në rajon duhet të përveshim mëngët e të përmbushim tërësisht objektivat e reformave tona, duke lënë mënjanë hidhërimin dhe zhgënjimin që ekziston në rajon,” tha Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal, znj. Majlinda Bregu, gjatë çeljes së konferencës ndërkombëtare të nivelit të lartë për të ardhmen e Ballkanit të quajtur “Për të vallëzuar duhen dy vetë: Ballkani Perëndimor ndërmjet shpresës dhe realitetit”, organizuar në Bruksel sot nga organizata “Miqtë e Europës”.

“Ky moment është ndoshta kriza më e madhe në marrëdhënien politike ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që prej vitit 1999. Që prej këtij momenti e deri në Samitin e ardhshëm të Ballkanit Perëndimor, të gjithë do të presin me padurim marrjen e vendimit nga BE-ja, por kush mund të garantojë që reformat do të nxiten me forcë dhe seriozitet?


Unë shpresoj shumë që vendimi jo vetëm për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, por edhe për të ardhmen e të gjithë procesit të integrimit dhe të anëtarësimit të vendeve të tjera të rajonit, të mos ndikojë së tepërmi e të zhgënjejë administratën publike, e cila më shumë se organet e tjera duhet të jetë e motivuar për të ecur përpara me reformat.”


Bregu përfundoi fjalën e saj duke u shprehur se “pavarësisht faktit që rajoni ka pritshmëri të mëdha nga Presidenca kroate e Këshillit të BE-së, nuk do të tregoheshim të zgjuar apo me vision, në rast se do të prisnim që vetëm Kroacia, Gjermania apo Franca do të mund ta ndryshonin drejtimin e erërave të ftohta që po fryjnë në Ballkan.


Megjithatë në rast se ne nuk shpalosim përparim të besueshëm në procesin e anëtarësimit, do të na kthehet bumerangu, do të bjerë oreksi për reforma, do të rritet konflikti ndërpartiak e do të ketë mungesë stabiliteti.” Sekretarja e Përgjithshme shtoi se me anën e qasjes gjithëpërfshirëse ne duhet të mendojmë se si do të krijohet një shtysë e re për ta rigjallëruar procesin, duke ofruar stimuj të tjerë e duke mos krijuar pengesa të reja.

Sekretarja e Përgjithshme Bregu theskoi rëndësinë e rinisë dhe lidhjes me perspektivën e tyre dhe perspektivën e BE-së për rajonin. “61% e të rinjve në rajon e mbështesin integrimin në BE, por në të njëjtën kohë e njëjta përqindje të rinjsh është e gatshme të largohet, në rast se nuk shikojnë arritje të qarta apo përmirësime në standarde në vendet e tyre.

Në këtë zonë ekonomike rajonale duhet t’u japim të rinjve mundësinë të udhëtojnë lirshëm brenda rajonit. Prandaj ne kemi punuar fort që të njihen diplomat dhe kualifikimet profesionale në rajon, sipas modelit të BE-së. Kjo u jep shansin të rinjve që, po të duan, të shkojnë në një vend tjetër të rajonit për të punuar. Kjo është, po ashtu, edhe mënyrë e mirë për të luftuar papunësinë dhe rrjedhjen e trurit.”

Seanca e parë e punimeve të konferencës kishte temën “Të vallëzosh pa partner? Të ecësh mes zhgënjimit, dëshpërimit dhe shpresës”. Në këtë seancë folën edhe: Josip Bërkiç, Zëvendës Ministër i Punëve të Jashtme të Bosnje-Hercegovinës, Kristian Danielson, Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Politikës së Fqinjësisë së Mirë dhe Zgjerimit në Komisionin Europian, Marko Paviç, Ministër i Kroacisë për Zhvillimin Rajonal dhe Fondet e BE-së si edhe Udhëheqësi i ri europian i vitit 2019 dhe Hashim Thaçi, President i Kosovës*. Seanca u moderua nga Shada Islami, Drejtoreshë për Europën dhe Çështjet Gjeopolitike në organizatën “Miqtë e Europës”.

Folësit cekën çështje si marrëdhënia BE-Ballkan Perëndimor, procesi i zgjerimit dhe Presidenca e ardhshme kroate e Këshillit të BE-së gjatë gjysmës së parë të vitit 2020, e cila pritet që ta trajtojë Ballkanin Perëndimor me përparësi të lartë në agjendën e BE-së.

Konferenca këtë vit shënoi edhe edicionin e saj të njëzetë, një moment kyç ky jo vetëm për të diskutuar të ardhmen e Ballkanit, por edhe për të eksploruar ide dhe qasje të reja në praninë e më shumë se 200 pjesëmarrësve, përfshirë politikëbërës nga rajoni dhe BE-ja, zyrtarë të qeverive përkatëse, përfaqësues të biznesit dhe të organizatave ndërkombëtare, si edhe akademikë të shquar dhe gazetarë me përvojë.
Shtuar më 03/12/2019, ora 21:38

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori