Bregu: Koalicioni i pazareve po luan bllofin me 3 ligjet e integrimit
Ministrja e integrimit Majlinda Bregu i bëri sërish sot thirrje kreut të opozitë së lërë mënjanë bllofet dhe të miratojë tre ligjet për statusin. Në një konferencë për shtyp Bregu theksoi se koalicioni i majtë i gjendur në pikën më të lartë të amoralitetit po vazhdon të luajë bllofin me 3 ligjet e integrimit.



“Pa asnjë ide, pa asnjë projekt dhe pa asnjë kauzë të shëndetshme, dyshja e koalicionit të pazareve po kërkon një komerdare shpëtimi nga anija që po mbytet, e që askush nuk e di se kë ka për kapiten. Duke e ditur shumë mirë: se nuk kanë sy e faqe t’u dalin përpara fermerëve, të cilëve, me bllokimin për tre vjet e 230 ditës të statusit, u hoqën miliona euro subvencione; se nuk kanë sy e faqe t’u dalin përpara studentëve që u mohuan qindra bursa studimi për në BE; se nuk kanë sy e faqe t’i dalin përpara biznesit që i mohuan mundesinë e miliona eurove kreditim; duke mos patur sy e faqe t’u dalin përpara mjekëve e mësuesve shqiptarë, që u hoqën mundësinë për qindra kualifikime në vendet e Bashkimit Europian; duke mos patur sy e faqe t’u kërkojnë falje të gjithë shqiptarëve për këto tre vjet e 230 ditë pengmarrje të ëndrrave dhe prosperitetit të tyre, kjo dyshe ka paturpësinë dhe paftyrësinë të vazhdojë me tallje dhe bllofe, sikur janë ata të interesuarit e mëdhenj të votimit të 3 ligjeve të integrimit” theksoi Bregu.


Ajo ka theksuar më tej se shqiptarët kanë 230 ditë që e shohin se Partia Demokratike dhe qeveria shqiptare i kanë bërë me qindra apele, ditë pas dite dhe orë pas ore, koalicionit të pazareve, për t’i votuar 3 ligjet, kur të duan dhe si të duan. /albeu.com/
Shtuar më 22/05/2013, ora 15:27

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori