Bregu-Fleckenstein: Qeveria nuk po respekton të Drejtat e Njeriut
Kryetarja e Komisionit për Integrimin Europian, Majlinda Bregu, së bashku me nënkryetarin e Komisionit për Politikën e Jashtme, Aldo Bumçi, zhvilluan sot një takim në ambientet e Kryesisë së Kuvendit me Raportuesin për Shqipërinë pranë Parlamentit Evropian, Knut Fleckenstein.

Në kuadër të përgatitjes së progres-raportit për Shqipërinë, Fleckenstein u interesua për zbatimin e pesë prioriteteve kyçe, si dhe shprehu opinionet e tij për pikat e marrëveshjes, ndërmjet mazhorancës dhe opozitës, ku në thelb ka qenë dekriminalizimi i Kuvendit.

Kryetarja e Komisionit për Integrimin Europian, Majlinda Bregu, dhe Nënkryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme Aldo Bumçi, e njohën Raporterin me situatën aktuale, që sipas tyre, është shqetësues mos zbatimi dhe mos respektimi i standarteve dhe detyrimeve të vendosura për Shqipërinë, në kuadër të procesit të integrimit.

Në fjalën e saj, Bregu tha se qeveria nuk po respekton të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, duke i'u referuar si rast konkret vetëvrasjes së Qamil Zelës në burgun e Rrogozhinës, pasi ishte arrestuar për shkak se ishte debitor në pagesën e energjisë elektrike.

Duke e vënë theksin tek fryma e kompromisit e dialogut politik, Bregu shprehu se kjo nënkupton jo vetëm respektim në deklarata për opozitën, por respektim të rolit kontrollues që Kushtetuta dhe ligjet i japin opozitës. /albeu.com/
Shtuar më 09/01/2015, ora 17:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori