Bregu ashpërson gjuhën: Mbledhja e kryesisë më sëmuri më keq, PD po përçahet
Pëlqej
Majlinda Bregu e ka cilësuar një lojë atë çfarë po ndodh brenda mureve të selisë blu.

Duke folur pas mbledhjes së Kryesisë, Bregu tha se në vend të analizës po kërkohet ti vihet kapak humbjes katastrofike në zgjedhjet e 25 qershorit.

Bregu tha se lojëra të tilla po përçajnë PD dhe paralajmëroi ditë dhe më të vajtueshme për këtë parti nëse vijohet me këtë gjendje.

Bregu: Nuk dua të nxjerr kuptimin e mbledhjes së Kryesisë e cila më sëmuri edhe më keq sesa gjithë këto ditë që kanë kaluar.

Erdha me idenë për të thënë edhe njëherë ato gjëra që bluan gjithësecili në shpirt, këto edhe pas humbjes katastrofike të PD në zgjeddje. Mirëpo në vend që të flasim, në vend që të debatonim dhe ti jepnim kohë vetes të reflektonim dhe të bënim një analizë kemi nxituar për ti vënë një kapak kësaj humbje dhe për të thënë që ndodhi, ndodhi, na ra kjo e keqe dhe tani të shohim dhe të frymëzojmë demokratët që të ringrihen. Unë vazhdoj të them që ky është një gabim i rëndë.

Sot PD po vazhdon lojën luftash, një lojë e cila po i përçan demokratët dhe nuk po i bashkon. Sepse në vend që të mendojmë, në vend që të flasim dhe të bëjmë analizën po rendim gati për të dhënë gjoba. Njëri kundër disave, disa kundër disave dhe në fund fare ata që humbasin janë demokratët dhe sigurisht që përçahet PD. Unë nuk besoj që PD është një plaçkë për tu ndarë, as ndërmjet atyre që duan të marrin tani ndonjë llokum por sigurisht besoj shumë që është e gjithë demokratëve që kanë asetet e tyre dhe investimin në të. Për gjithë që e mbajnë mend ka pasur dhe një lojë tjetër kur ishim të vegjël ne, loja ngriva-shkriva. E njëjta lojë po vazhdon sot përsëri në oborrin e PD.

Në vend që ne të flasim dhe të shohim përgjegjësinë tek vetja, vazhdojmë humbje pas humbje ta kërkojmë përgjegjësinë tek oborri përballë nesh. As fitorja, as rindërtimi, as rithemelimi dhe as ringritja e PD nuk vjen duke vazhduar me lojëra kapriçoze, hileqare dhe fëminore brenda nesh. Më vjen shumë keq për të gjithë ata demokratë që kanë besuar dhe vazhdojnë të besojnë fuqishëm tek opozita. Ndjehem e keqardhur që sot nuk mund të bëj dot më shumë se kaq. Sot është një ditë e vajtueshme për PD. PD gjendet në një situatë të vajtueshme, por e nesërmja nëse do të vazhdojmë kështu do të jetë fatkeqësisht akoma më e vajtueshme. /albeu.com/
Shtuar më 03/07/2017, ora 22:06
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori