Braho: Në spital për arsye shëndetësore
Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Spartak Braho, ka reaguar lidhur me atë që mediat e kanë cilësuar si një takim mes tij dhe deputetit të arrestuar, Mark Frroku, në një spital privat në kryeqytet. Braho shpreh keqardhje për publikimet e mediave, duke thënë se prania e tij në spital ishte tërësisht për arsye shëndetësore.

"Jam befasuar dhe kam ndjerë keqardhje e neveri që ndonjë media vazhdon të mbetet përhapëse e lajmeve dizinformuese, mision ky që jo vetëm nuk i ka hije një televizioni, por i katandis ato në si mos më keq e në përdorim klientelist të soj e sorollopësh intrigantë e aspak profesionalë.

Nuk e di dhe për llogari të kujt këto televizione transmetuan pamje dhe sekuenca filmike në qendër të të cilave vendosesha unë duke dalë nga dera kryesore e Spitalit Gjerman të kardiologjisë dhe që kjo pamje u komentua si ‘vizitë e dyshimtë e Brahos në këtë spital, pasi aty ndodhej i shtruar i akuzuari Frroku!’.

Ndonëse as nuk i'a vlen të merresh me sqarimin e këtij dyshimi që hedh në eter kova e ndryshkur propagandistike për të bërë gjoja “lajm”, prania ime në këtë spital ishte tërësisht për arsye shëndetësore, e planifikuar dhe e dokumentuar ditë më parë ku kontaktova mjekun përkatës të laboratorit në katin e parë.

Kanë rast ‘investiguesit seriozë’ të shkojnë të kontrollojnë kamerat e sigurisë së spitalit, të cilat regjistrojnë çdo gjë, policët përkatës në shërbim dhe të zbulojnë lajmin e saktë, që s’është lajm fare.

Është e vërtetë se praninë e Frrokut në atë spital e kam marr vesh vetëm kur dola nga ambientet e spitalit dhe për çudinë time pashë që disa kamera televizive po më filmonin.

Nuk i'u dhashë rëndësi pasi bashkëshoqëruesi më sqaroi se prania e tyre lidhej me faktin se në ambientet e kateve të sipërme të spitalit ndodhej i shtruar Mark Frroku.

Me kaq lidhej qenia ime dhe lajmi i saktë zotërinj drejtues, pronar, gazetar të disa mediave që fabrikuat lajm kot. Kini kujdes mos i kriminalizoni televizionet shqiptare dhe veten tuaj. Ky sugjerim s’ka të bëjë me korrigjimin e bindjeve tuaja, por me etikën, korrektesën dhe profesionalizmin shpeshherë të munguar.

Mjaft djem, investigues! Bëhuni seriozë e të ndershëm, se na sëkëlldisët kalamajt, miqtë e shokët, sikur ç’ka ndodhur e ç’keni zbuluar. Muhabet kot që i interesoi vetëm ndonjë gazete si “RD”. Mos harroni se në gjendje arresti me polic te koka është Mark Frroku e Tom Doshi. Unë isha tek dera spitalit, as në ndonjë aeroport apo hotel e në duar mbaja vetëm letra! Qesharake!”, përfundon reagimi. /albeu.com/

Shtuar më 25/04/2015, ora 17:54

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori