Toka e punueshme në Shqipëri, më e shtrenjta në Europë

Një metër katror tokë e punueshme në Farkë sot kushton të paktën 50 euro për metër katror, sipas të dhënave nga agjencitë e real estate.

Blerja e një hektari tokë në këtë zonë kushton minimalisht 500 mijë euro. Sipas tyre, çmimi është kaq i shtrenjtë, pasi toka mund të tjetërsohet dhe të jepet për ndërtim.

Ndërsa çmimi minimal i tokës që nuk është e tjetërsueshme është 5 euro për metër katror, ose 50 mijë euro për hektar.

Nëse krahasojmë të dhënat me shtretet e tjera të Europës, toka në Shqipri kushton shumë më shtrenjtë, teksa çmimi maksimal i një hektari toke të punueshme në vendet e Bashkimit Europian është 120 mijë euro, në Ishukjt Kanarie të Spanjës.

Sipas Eurostat, çmimi i një hektari tokë të punueshme në vitin 2021 varionte nga niveli i ulët prej 3 661 € mesatarisht në Kroaci në 47 290 € mesatarisht në Luksemburg, midis nëntëmbëdhjetë Shteteve Anëtare të BE-së për të cilat janë të disponueshme të dhënat e vitit 2021.

Diferenca ka të ngjarë të jetë edhe më e lartë, pasi çmimi mesatar i një hektari tokë të punueshme në Holandë ishte 71 225 € në 2020.

Në nivel rajonal, çmimet më të larta për tokën e punueshme ishin në rajonin spanjoll të Ishujve Kanarie (mesatarisht 120 477 € për hektar). Në të kundërt, më e ulëta ishte në rajonin suedez të Övre Norrland (mesatarisht 1 882 €).

Në Itali, sipas të dhënave që janë të disponueshme për vitin 2020, çmimi mesatar i një hektari tokë të punueshme është 35 mijë euro. Zona më e shtrenjtë në Itali, sipas tabelës së Eurostat është në Valle d’Aosta, me 56 mijë euro për hektar dhe më i liri në Sardenja dhe Molise, me 15-16 miëj euro për hektarë.

Në Francë, në pjesën më të madhe të zonave, një hektar tokë kushton nga 3-7 mijë euro dhe vetëm në Provence-Alpes-Côte d’Azur arrin në 12 mijë euro.

Sipas Eurostat, niveli i çmimeve të tokës varet nga një sërë faktorësh; këta përfshijnë faktorë kombëtarë (si ligjet), faktorë rajonalë (si klima dhe afërsia me rrjetet e infrastrukturës) dhe faktorë të lokalizuar të produktivitetit (të tilla si cilësia e tokës, pjerrësia ose kullimi).

Forcat e tregut të ofertës dhe kërkesës, duke përfshirë ndikimin e rregullave të pronësisë së huaj, mund të ndikojnë gjithashtu në çmimin e tokës bujqësore.

Në Shqipëri, sipas ekspertëve të pasurive të paluajtshme, niveli i lartë i çmimit të tokës së punueshme lidhet me faktin se kjo tokë mund të tjetërsohet dhe të kthehet në truall për ndërtim, duke sjellë shumë të ardhura sidomos në rrethinat e Tiranës, ku ndërtohen komplekse vilash.

Ndërsa në shtetet e tjera të Europës, ndërtimi në tokë të punueshme është pothuajse i pamundur dhe si rrjedhojë toka nuk sjell të ardhura./MOnitor