Burri dhunon dhe hedh nga shkallët gruan në Korçë, e mban 6 ditë në shtëpi me këmbë të thyer

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Korçë.

Diana Mulla, 55 vjeç është dhunuar nga bashkëshorti i saj Fatos Mulla, i cili e ka hedhur nga shkallët e shtëpisë së tyre duke i shkaktuar thyerje të këmbës së djathtë.

Por ajo që e bën më të rëndë ngjarjen, është fakti që bashkëshorti e ka privuar nga ndihma mjekësore dhe e ka mbajtur në banesë me këmbë të thyer për 6 ditë.

Ngjarja është bërë publike sot kur Diana ka shkuar në spital të marrë ndihmë mjekësore. Ajo ka rrëfyer për mjekët dhunën e ushtruar ndaj saj, dhe ka bërë me dije se vuan nga probleme shëndetësore pasi ka pësuar paralizë më herët.

Ajo gjithashtu vuan edhe nga zemra. Në rrëfimin e saj, 55-vjeçarja tha se bashkëshorti e dhunonte prej kohësh por nuk ka guxuar ta denoncojë për shkak të frikës.

Denoncimi u bë në polici këtë të enjte nga ana 55-vjeçares, ndërsa bashkëshorti Fatos Mulla u shoqërua në komisariat për të dhënë deklaratën e tij dhe për tu përballur me veprën penale që do të përcaktohet nga prokurori i gatshëm.

Shkak për sherrin është bërë një motiv banal, një gotë vaji siç thuhet nga ana e të dhunuarës. Përgjatë këtyre ditëve, bashkëshorti nuk e ka lejuar të kontaktojë me familjarët e saj ndërsa bëhet me dije se vajza e vetme e çiftit jeton prej vitesh në Itali./Albeu.com/ 


Shtuar 22.06.2023 13:26