Bosi i drogës, jeta mes Zagrebit e Tiranës
Albeu.com
Kryeqyteti shqiptar ishte një strehë e sigurt për Lulëzim Krasniqin. Bosi i drogës, i vrarë para dy ditesh në Kroaci, ka ardhur për herë të parë në Tiranë në pranverën e vitit 1992 dhe që atëherë ai është kthyer këtu dhe shumë herë të tjera.Ai mbërrinte me rrugë tokësore, i shoqëruar nga një eskortë prej tre makinash, ndërsa ai vetë udhëtonte në bordin e një Lamborgini luksi. Krasniqi frekuentonte lokalet më luksoze në Tiranë, sidomos ato në zonën mbas Muzeut Kombëtar. I lindur në Pejë të Kosovës 42 vjet më parë, Luli, siç njihej në Tiranë, kishte krijuar lidhje të forta dhe me “kolegë” të tij shqiptarë. Policia ka mohuar dje të ketë të dhëna se ai e ka shtrirë aktivitetin e tij të trafikut të drogës edhe në Shqipëri. Ai mendohet se ka patur në pronësi të tij edhe një apartament në Tiranë, të cilin e ka blerë kohët e fundit.
Motivi
Vizitat e Krasniqit në Tiranë binin në sy jo vetëm për shkak të eskortës shoqëruese dhe autoveturës Lamborgini, por edhe për shpenzimet e shumta që Krasniqi bënte nëpër lokale. Motivi i këtyre vizitave në Shqipëri bëheshin për të shmangur rreziqet periodike që e kërcënonin atë në Kroaci dhe për t’ju fshehur rivalëve të tij kriminalë. Në kohët kur Krasniqi kishte armiqësira apo situata që mund t’i rrezikonin jetën ai zgjidhte Tiranën si vendin e fshehjes deri në normalizmin e situatave. Burime të pakonfimuara kanë pohuar se ai dyshohet të ketë patur lidhje edhe me elementë kriminale në Shqipëri. Dyshime të tilla kanë hedhur edhe persona të tjerë që kanë patur mundësi ta njohin të ashtuquajturin bosin e drogës në Kroaci, Lulëzim Krasniqin. Por përkundër dyshimeve të hedhura, zyrtarisht, autoritetet shqiptare kanë mohuar të kenë ndonjë informacion të mundshëm mbi aktivitetin kriminal të Krasniqit. Burime zyrtare pranë Minstrisë së Brendshme kanë konfirmuar se emri i Krasniqit është krejtësisht i panjohur për skedarët e policisë. Të njëjtin fakt kanë pohuar edhe burimet pranë Prokurorisë së Përgjithsme dhe asaj të Krimeve të Rënda. Sipas këtyre të fundit, emri i Lulëzim Krasniqit nuk figuron në asnjë dosje apo informacion, që këtyre organeve u vijnë nga homologët e tyre të rajonit dhe më gjerë.
E kaluara
Lulëzim Krasniqi ka mbërritur në kryeqytetin kroat, Zagreb në mesin e viteve 80, i ardhur nga Peja e Kosovës. Fillimisht ai u regjistruar në fakultetin ekonomik të cilin nuk e përfundoi. Shumë shpejt ai filloi të krijonte lidhje të forta në Zagreb; dje mediat kroate raportuan se Kjrasniqi ka qenë dhe një nga financuesit e fushatës presidenciale të Stipe Mesiç, por zyra e presidentit, e cituar nga agjensia kroate e lajmeve HINA, e ka mohuar kategorikishte një gjë të tillë. Mësohet se në fillim të viteve ’90, Krasniqi arriti të përfitonte disa kredi për biznesin e tij të ri legal në fushën e pijeve dhe cigareve. Në vitet e mëvonshme aktiviteti i Krasniqit mendohet se ka kaluar në afera kriminale dhe trafiqe të paligjshme, kryesisht të drogës dhe armëve. Mendohet se qendra e veprimit të tij ka qenë në linjën Sarajevë-Zagreb dhe prej andej në Evropën Qëndrore. Besohet se ai kontrollonte tregun e drogave të forta në Austri duke përdorur një rrjet të mirëkontrolluar blerjeje dhe shpërndarjeje. Në këtë rrjet kryesisht bënin pjesë kosovarë, kroatë, por dhe qytetarë të kombësive të tjera. Pikërisht, rivaliteti për kontrollin e tregut, shkaktuan rivalitete të egra mes rrjetit të tij dhe dy klaneve të tjera mafioze kroate. Policia kroate ka bërë të ditur dje se Lulëzim Krasniqi është vënë disa herë në shënjestër të atentateve të organizuar nga rivalë të tij. Një i tillë ishte dhe ai i vitit 2003, kur BENZ-i i tij u hodh në erë, por ai shpëtoi për mrekulli. Mediat kroate raportuan dje se një nga miqtë e tij më të ngushtë, ka pohuar në funeral se priste që policia të arrestonte vrasësit: “Ndryshe do t’i gjejmë ne”. Varrimi i tij u krye dje në varrezat e Zagrebit.
Gazeta Shqiptare
Shtuar më 25/03/2006, ora 13:52
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori