Boshkovski ishte në shërbim të nëntokës shqiptare
Pëlqej
Albeu.com
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë vërtetuar se Aldo Bare dhe Lulzim Berisha kanë marrë pasaportë maqedonase, me emra të huaj. Bares pasaporta i është dhënë nga ish-ministri Lube Boshkovski, ndërsa Berisha ka pas pasaportë të rreme.Ish-ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Lube Boshkovski i cili ndodhet në Hagë për krime lufte, gjatë mandatit të tij si ministër ka pajisur pjesëtarë të nëntokës shqiptare me pasaporta maqedonase. Aldo Bare, i arrestuar dy javë më parë në Turqi dhe Lulzim Berisha, i arrestuar të enjten e kaluar në Tetovë, u kapën me pasaporta maqedonase. Boshkovski kishte nënshkruar dhënien e pasaportës për Baren në shtator të vitit 2002. ndërkohë që Berisha është arrestuar me pasaportë të rreme të Maqedonisë. Policia nuk ka njohuri si dhe ku është pajisur Berisha më këtë pasaportë. Dhe pas gjithë kësaj, autoritetet shtetërore në Maqedoni, ende e mbajnë të fshehur lidhjen me nëntokën shqiptare. “Ende janë duke u bërë kontrolle se si Bare dhe Berisha janë pajisur me pasaportë maqedonase”, tha për “Lajm” zëdhënësi i policisë, Borçe Peshevski, duke mos dhënë hollësi tjera.
Pas arrestimit të Bares në Turqi, Maqedonia i hoqi shtetësinë atij dhe lehtësoi procedurat për ekstradimin e tij në Shqipëri. Arrestimi i të akuzuarit si kreu i bandës së Lushnjës në Ankara të Turqisë ka shqetësuar autoritetet më të larta të shtetit fqinj, të cilët kanë firmosur shtetësinë maqedonase të tij, në emrin Mikel Kodra.
Përveç Lulzim Berishës, në Maqedoni është strehuar për ca kohë edhe Aldo Bare, i cili ndodhet i izoluar për 40 ditë në burg, derisa të justifikohet urdhri për arrest ndërkombëtar. Ish-kreu i MPB-së, Lube Boshkovski ka nënshkruar vendimin e dhënies së nënshtetësisë maqedonase Bares dhe ka urdhëruar pajisjen e tij me një pasaportë të rregullt me identitetin Mikel Niko Kodra. Vendimi është sjellë nga Boshkovski më 18 shtator të vitit 2002. Ndërsa, Lulzim Berisha, legjenda e krimit shqiptar, mbi të cilit rëndojnë të paktën gjashtë vrasje, u arrestua të enjten e kaluar në Tetovë, në një banesë në lagjen “Bllok 80”. Në momentin e arrestimit, policia i ka gjetur një pasaportë të rreme maqedonase. Pasaporta mbante foton e tij, por me emrin e shtetasit, Qenan Emini. Berisha akuzohet gjithashtu për krijim dhe drejtim të organizatave kriminale, trafik ndërkombëtar droge e armëmbajtje pa leje.

Deportohet në Qafë Thanë e dashura e Lulzim Berishës

Policia maqedonase ktheu në vendkalimin kufitar Qafë Thanës 26- vjeçaren Fiorentina Kotorri, rreth orës 23 e 30 minuta të së premtes, të shoqëruar me një shkresë përcjellëse sipas së cilës vajza dëbohet nga Maqedonia për thyerje të afatit të qëndrimit me vizë aty. Kotorri kishte kaluar kufirin, drejt Maqedonisë, 10 ditë para se të arrestohej i dashuri i saj. Ndryshe, ishte pikërisht ndjekja e saj që çoi tek i shumëkërkuari Berisha.
nga BEKIM BUÇI, Lajm
Shtuar më 11/04/2006, ora 16:39
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori