Boshkovski do të kandidohet për president
Albeu.com
Ish-ministri i Brendshëm maqedonas, Lube Boshkovski, i cili akuzohej për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë, por që u gjet i pafajshëm nga Gjykata e Hagës, ka bërë të ditur se do të hedhë kandidaturën për president të Maqedonisë.Boshkovski qëndroi në Hagë nga viti 2005. Ai hetohej nën akuzat për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë në fshatin Luboten pranë Shkupit. Rreth dy muaj pasi u kthye nga Haga, Boshkovski ka shprehur ambicje politike.

Edhe pse anëtar i VMRO DPMNE-së të kryeministrit Nikolla Gruevski, ai thotë se do të kandidojë për president më vete.

Në intervistën dhënë të përjavshmes "Fokus", Boshkovski paralajmëron se mund të krijojë edhe subjekt politik. Ai thotë se në garën presidenciale po hyn për shkak se "qytetarët kanë kërkuar një gjë të tillë prej tij".

Për BDI-në e cila kryesisht doli nga ish UÇK-ja, dhe ndaj të cilës në vitin 2001, ai luftonte, thotë se ajo tani përfaqëson një faktor politik. Kurse për rastet e tjera të Hagës, që hetojnë veprimet e UÇK-së dhe që janë kthyer në gjykatat e Maqedonisë, thotë se duhet të mbyllen me marrëveshje politike.

Presidenti në Maqedoni zgjidhet në zgjedhje direkte, të cilat pritet që të zhvillohen në pjesën e parë të vitit që vjen. (bbc)
Shtuar më 13/10/2008, ora 18:24
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori