Borxhet alarmojne qeverine shqiptare
Albeu.com
Ministria e Financave është vënë në alarmin se borxhi i Shqipërisë, i cili në fund të vitit 2009 arriti në 634 miliardë lekë, është me risk të lartë financimi dhe mund të vendosë buxhetin në vështirësi, njofton Top Channel.
Në programin ekonomik e fiskal 2010-2012, Ministria pranon se pagesat e borxhit janë të paqëndrueshme dhe të rrezikuara nga luhatje të mëdha, për shkak të afatit të shkurtër të shlyerjes, por edhe goditjeve në kursin e këmbimit. Pjesa dërrmuese e borxhit të brendshëm të vendit, i cili llogaritet në 409 miliardë lekë duhet te shlyhet brenda afatit 1-vjecar dhe vetëm 36 për qind e tij është me afat më të madh se një vit. Kjo do të thotë se brenda vitit qeverisë i duhet të rinovojë afërsisht 270 miliardë lekë, borxh me interesin që i dikton tregu.

Paralelisht me këtë dy vitet e fundit borxhi po rrezikohet edhe nga një faktor tjetër, që ka të bëjë me rritjen huamarrjes tregtare nga jashtë. Sipas bankës së Shqipërisë borxhi i jashtëm i vendit është rritur në krahasuar me fundit e vitit 2007 me 66 për qind ose në vlerë me mbi 650 milionë euro. Dhe nëse Shqipëria deri në fund të 2007 Shqipëria ka përfituar nga kreditë e buta me interesa fikse të donatorëve dy vitet e fundit ato kanë rënë, duke u zëvendësuar nga borxh tregtar, me interesa të luhatshme në varësi të gjendjes së tregut.

Kjo bën që shlyerjet e borxhit të jenë të paparashikueshme dhe gjithmonë të kërcënuara nga krizat. Në programin ekonomik fiskal, pagesat e borxhit parashikohen me rritje të fortë tre vitet e ardhshme, duke arritur kulmin në 2012 me 90 miliardë lekë, shifër e cila edhe pse nga Ministria e Financave është quajtur si lapsus tashmë është e miratuar zyrtarisht nga qeveria.
Shtuar më 31/05/2010, ora 15:30
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori