Bomba në makinën e biznesmenit, karta e telefonit u aktivizua një ditë para
Karta e celularit që ishte ngjitur me pakon me tritol që ra nga makina e biznesmenit Nuredin Suli, në parkingun e qendrës tregtare, ishte aktivizuar një ditë para tentativës për atentat.

Sipas burimeve, në këtë mënyrë provohet se mina është vendosur në makinën e Sulit në harkun kohor prej 24 orëve nga momenti kur u zbulua ngjarja. Por ende nuk dihet me saktësi vendi se ku ka qenë e parkuar makina në momentin kur autorët kanë montuar bombën poshtë saj, transmeton Panorama.

Pakoja ra teksa makina nisi të ecte për të dalë nga parkingu i qendrës tregtare dhe ekspertët thanë se ajo ishte e ngjitur me magnet dhe nuk mbajti prej peshës së madhe.

Ndërkohë janë lënë të lirë tre personat e fisit Sulo, me të cilët është në hasmëri biznesmeni i karburanteve. Vendimi është marrë nga Policia, pasi nuk u provua lidhja e tyre me vendosjen e bombës në makinë e Nuredin Sulit.

Alibia e Sulo Sulos dhe dy të afërmve të tij, se ndodheshin në një lokal në Fier, kur ndodhi ngjarja, por edhe një ditë më përpara, i ka shpëtuar ata nga pranga.

Kjo e provuar nga kamerat e sigurisë së lokalit, por edhe nga prova e siguruar së fundmi nga grupi hetimor, se karta SIM e vendosur në celularin e minës që ra nga makina e Nuredin Sulit kishte vetëm 24 orë që ishte aktivizuar, nga momenti kur u zbulua pakoja me eksploziv. /albeu.com/
Shtuar më 12/02/2016, ora 08:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori