Bogdanovic viziton Kosoven si banor i saj
Albeu.com
Ministria e Punëve të Brendshme thotë se Goran Bogdanovic kishte hyrë në Kosovë të premten, në cilësinë e banorit të Kosovës. Ajo thotë se Bogdanovic kishte keqpërdorur natyrën e vizitës duke me aktivitete politike. Ministri serb këshilloi komunat në veri të bashkëpunojnë me EULEX’in.Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës ka thënë të hënën se Ministri serb Goran Bogdanovic, i cili u bëri thirrje komunave veriore të bashkëpunojnë me EULEX’in dhe t’i shmangen dhunës, kishte hyrë të premten në territorin e vendit në cilësinë e banorit të Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, ka thënë për Express se z.Bogdanovic kishte hyrë në Kosovë të premten, përmes portës 1. “Ai është banor i Leposaviqit, shtetas i Kosovës. Ka hyrë në cilësinë e qytetarit”, ka thënë Beka. z.Bogdanovic ishte ndaluar në një seri orvatjesh të futej në territorin e Kosovës nga organet kosovare të rendit.

Këshilltari i Ministrit të Brendshëm, Fisnik Rexhepi, i ka thënë Expressit se Bogdanovic do të merrte të njëjtën përgjigje po që se do të kërkonte edhe kësaj radhe vizitë zyrtare.
“Por, i ashtujqujturi Ministër për Kosovën është edhe shtetas i Republikës së Kosovës. Ne nuk mund të ndalojmë asnjë shtetas të vendit tonë që të hyjë në Kosovë”, ka thënë Rexhepi.

Sipas tij, megjithatë, Bogdanovic ka tejkaluar natyrën e vizitës së tij. “Sipas informacioneve që kemi, ai ka pasur një aktivitet politik sot në Leposavic. Bogdanovic kështu ka keqpërdorur natyrën e vizitës së tij. Sidoqoftë, për ne është me rëndësi se këto aktivitete gjithnjë e më pak po gjejnë hapësirë përkrahje tek qytetarët serbë të Kosovës”, ka thënë Rexhepi.

Bogdanovic kishte arritur në Leposavic për takime me autoritetet lokale përpara protestës së të martës kundër aplikimit të taksave doganore nga EULEX’i në pikat Jarinje dhe Brnjak. Bogdanovic u ka thënë liderëve serbë se Qeveria e Serbisë nuk ka arritur marrëveshje ose nuk ka nënshkruar asgjë me EULEX”in në lidhje me vendosjen e doganave në këto dy pika.

“Lëvizjet unilaterale nga EULEX’i janë të papranueshme”, ka thënë Bogdanovic.
Megjithatë, ai u ka bërë thirrje serbëve që të jenë “paqësorë dhe të dinjitetshëm” gjatë protestës. Bogdanovic ka bërë thirrje për bashkëpunim me EULEX’in dhe ka rikujtuar se Qeveria e Serbisë i ka dhënë EULEX’it pajtimin për t’u zbarkuar gjatë vitit të kaluar.

“Është e pamundshme që qeveria e Serbisë të marrë një vendim dhe administrata në veri të marrë një tjetër. Kjo është e papranueshme dhe çon edhe më tepër në konfuzion, probleme dhe frustrim për të gjithë serbët në Kosovë. U kam thënë liderëve lokalë në Leposavic se ne duhet të flasim me EULEX’in dhe të mundohemi të zgjidhim problemet me ta”, ka thënë Bogdanovic.

Ndërkohë ai ka përsëritur se Republika e Serbisë është tejet e vendosur në vendimin e saj për të mos e njohur kurrë Kosovën e pavarur. Megjithatë, ai ka shtuar se Beogradi dëshiron që problemet të zgjidhen me dialog dhe jo me dhunë. (express)
Shtuar më 09/06/2009, ora 04:21
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori