Bode: PD nuk do bojkotojë zgjedhjet vendore
Pëlqej
Partia Demokratike do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm. Lajmi bëhet i ditur nga sekretari i përgjithshëm i selisë blu, Ridvan Bode, në një intervistë të dhënë për “Revistën Televizive të Mbrëmjes” në Top Channel.

Ai hodhi poshtë të gjitha zërat për një bojkot të zgjedhjeve vendore nga ana e PD-së. Por nga ana tjetër, deputeti demokrat theksoi se PD-ja do të bëjë çdo gjë të mundur që këto zgjedhje të mos bëhen sipas ndarjes së re të territorit të vendit.

“PD-ja nuk ka munguar asnjëherë në zgjedhje. Partitë funksionojnë vetëm përmes proceseve elektorale dhe nuk mendoj që Partia Demokratike do të bojkotojë zgjedhjet lokale. Nga kryetari është thënë se me këtë hartë elektorale ne nuk do të lejojmë zhvillimin e zgjedhjeve lokale, kjo do të thotë që PD-ja do të përdorë të gjitha hapësirat ligjore për të kërkuar që për ndarjen territoriale të ketë një logjikë më adekuate dhe të jetë më e përshtatur dhe të përputhet më shumë me interesat e qytetarëve”, u shpreh Bode.

Sipas deputetit të PD-së, reforma administrativo-territoriale jo vetëm është bërë pa konsensus, por ajo në thelb është një reformë politike dhe elektorale.
Shtuar më 04/09/2014, ora 11:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori