Zgjidhja Maqedoni-Bullgari do të dërgohet në Bruksel

Krerët shtetërorë në takime me kryeministrin bullgar, Kirill Petkov. Stevo Pendarovski dhe Dimitar Kovaçevski kanë biseduar për përparim në planin evropian, që do të thotë sukses për dy vendet. Petkov pas takimeve, në intervistë ka deklaruar se ideja është që të arrihet zgjidhje e cila më vonë do të dorëzohet në Komisionin Evropian.

“Planifikojmë të shkojmë në Komisionin Evropian me propozim të përbashkët, që nën një është shumë ndryshe para se gjithash. Nën dy, propozimin e bazojmë në kriterin e Kopenhagës, në parimin e mbrojtjes juridike të njerëzve që janë me origjinë tonë. Me fjalë tjera, nuk përfshijmë çështje konkrete dypalëshe por përfshijmë parime që në fakt janë në suaza të shteteve anëtare të BE-së”, tha Kiril Petkov, kryeministër i Bullgarisë.

Petkov shton se nëse Brukseli këtë problem mes dy vendeve e sheh si mundësi për përshpejtim të procesit negociues, kjo do të mund të përdoret si model për vendet tjera anëtare nga Ballkani që janë të ftuara në BE. Për bisedimet vjen edhe mbështetje nga SHBA-të.

“Ndajmë mendimin se jemi më të fuqishëm si aleat në NATO. Sekretari shtetëror Blinken shprehu mbështetjen e tij të plotë për dialogun dhe miqësinë mes RMV dhe Bullgarisë, si dhe ndau dëshirën e tij të sinqertë që të na shohë bashkë në BE. SHBA-të mbeten partner ynë i përkushtuar në tejkalimin e sfidave”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër i RMV-së.

Për ministrin për Punë të Jashtme, Bujar Osmani, Ballkani Perëndimor nuk është vrima, por zemra e Evropës.

“Çdo mossukses në mbajtjen e trajektores evropiane në Ballkanin perëndimor mund të ketë pasoja dramatike për vendet e rajonit dhe për BE-në, duke përfshirë edhe aspektin e sigurisë dhe migrimit. Vendet tona duhet të vazhdojnë të përparojnë në lidhje me tejkalimin dhe zgjidhjen e kontesteve dypalëshe, në frymën evropiane, si dhe të përforcojnë reformat thelbësore, posaçërisht në lidhje me sundimin e së drejtës, në bazë të metodologjisë së rishikuar për aderim”, pohoi Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme.

Takimet mbahen në margjina të Konferencës së sigurisë në Mynih, prej ku mbështetje për procesin mes Maqedonisë dhe Bullgarisë ka dhënë edhe Mirosllav Lajçak i cili është përfaqësues i BE për Ballkanin Perëndimor.

“Përfaqësuesi i Brukselit është i kënaqur nga angazhimet e deritanishme dhe vlerësoi se ata do të kenë kontribut të rëndësishëm ndaj vendimit përfundimtarë për miratimin e Kornizës negociuese dhe për caktimin e Konferencës së parë ndërqeveritare gjatë kohës së kryesimit francez”, thonë nga Qeveria e RMV-së.

Opozita nga ana tjetër akuzon se, siç thonë, në kuzhinën e Qeverisë po përgatitet tradhti që përfshin gjuhën, kombin dhe historinë./ TV 21/