Kurti: Protestat e serbëve, të panevojshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se protestat e paralajmëruara nga serbët e Kosovës, për, siç u tha, moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, janë të panevojshme.

“Ju bëj thirrje qytetarëve serbë të Kosovës që të mos organizojnë dhe të marrin pjesë në protesta të tilla”, tha Kurti të hënën në një konferencë për shtyp.

“Unë jam organizator i madh i protestave nga e kaluara ime, por më besoni që me kompetencë, jo vetëm nga përvoja, por edhe nga rrethanat politike, në të cilat ndodhemi, gjeopolitike, të sigurisë – protestat nuk janë rrugë e duhur përpara. Zyra ime është e hapur për të gjitha ankesat për çfarëdo shkelje të të drejtave”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, kjo nuk i kontribuon marrëdhënieve të mira ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç dëshiron Kosova dhe siç kërkon Bashkimi Evropian.

Të martën, nënkryetari i Listës Serbe, njëherësh kryetar i Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, gjatë një konference të përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se serbët do të protestojnë në jug dhe veri të Ibrit të premten lidhur me moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Kryeministri Kurti tha se Qeveria e Kosovës nuk ka vendosur që zgjedhjet serbe të mos mbahen në Kosovë.

Ai tha se ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

“Nuk do të thosha që Qeveria ka marrë vendim për mosmbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, por e vërteta është se nuk ka marrëveshje paraprake, natyrisht që paraqet kushtin për mbajtjen e atyre zgjedhjeve, e i cili kusht nuk është plotësuar. Ne kemi pritur shkëmbim normal të letrave të kërkesës së tyre, të trajtimit tonë, por kjo nuk ka ndodhur”, tha Kurti.

Kurti shtoi se marrëveshja për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë duhet të jetë me anë të shkëmbimit të letrave ndërmjet Qeverie së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë.

“Ne jemi instancat – autoritetet e vendeve përkatëse – që do të duhej të merreshin vesh në mënyrë që të zhvilloheshin ato zgjedhje. Kështu siç është, çështja ka marrë kahe tjetër”, deklaroi Kurti.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më 22 mars se Kosova ka kërkuar që Qeveria e Serbisë t’i kërkojë drejtpërdrejt Qeverisë së Kosovës që të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare më 3 prill, gjegjësisht “që Serbia ta pranojë Kosovën”.

Ai ka shtuar që Serbia nuk do të bëjë një gjë të tillë dhe ka thënë që serbët e Kosovës do të votojnë në Serbi më 3 prill.

Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë vazhdimisht thirrje Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për mbajtjen e zgjedhjeve serbe.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.

Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i ka grumbulluar votat. Ato vota më pas janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.

Kjo praktikë është krijuar qysh në vitin 2017 dhe autoritetet e Kosovës e kanë lejuar këtë gjë./REL


Shtuar 23.03.2022 16:16