Probleme me serverin e Thesarit të Shtetit, bllokohen pagesat
Prej ditës së dielë në mbrëmje serveri i Thesarit, përmes të cilit shteti shqiptar kryen të gjitha pagesat nuk funksionon. Top Channel ka mësuar se, për shkak të bllokimit të tij, pjesa dërrmuese e pagesave nga buxheti janë të bllokuara, ndërkohë që në faqen zyrtare të Thesarit, pagesat e fundit janë ato të datës 3 Prill, pra që të premten e kaluar.

Burime konfidenciale thanë për Top Channel se, aktualisht Thesari kryen vetëm pagesat për borxhin e jashtëm, përmes një procedure të jashtëzakonshme nga llogaria e Bankës së Shqipërisë, ndërsa të gjithë pagesat e tjera aktualisht nuk mund të realizohen.

Sipas tyre, aktualisht serveri është marrë nga ekspertët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, pas dështimeve për rivënien në funksion të tij. Top Channel kontaktoi me Agjencinë Kombëtare të Informacionit, por kjo e fundit refuzoi të komentojë mbi këtë çështje.

Nga ana tjetër, Top Channel kontaktoi edhe me Ministrinë e Financave, e cila konfirmoi zyrarisht se serveri nuk është në punë për momentin, por e motivoi këtë me shpërnguljen fizike të tij nga një ambient në një tjetër më të sigurt, duke mohuar që të ketë difekt. Zyrtarisht, Ministria thotë se një pjesë e pagesave po kryhen përmes Bankës së Shqipërisë dhe se, shumë shpejt serveri do rivihet në funksion.

Por çfarë ka ndodhur me serverin e Thesarit?

Burimet zyrtare thanë se, të dielën në mbrëmje, për shkak të shkëputjes së shpeshtë të energjisë, dy kondicionerët që ndihmojnë në ruajtjen e temperaturës fikse në dhomën e serverit janë djegur. Për këtë shkak, temperatura është rritur me të paktën 10 gradë më tepër, duke bërë që një nga pajisjet, që sigurojnë mbarëvajtjen e serverit, i quajtur “Controller”, të pësojë edhe ai avari dhe të digjet.

Djegia e “Controller”-it ka bërë që serveri të hyjë në situatën e quajtur “safe mode”. Burimet shpjeguan se serveri është i paprekur, është i ndezur, të dhënat që lidhen me pagesat dhe gjithë veprimet financiare të shtetit janë në gjendje të paprekur, por djegia dhe mungesa e pajisjes “controller” ka bërë që ai të mos lidhet me asnjë nga 36 degët e Thesarit, dhe të mos kryejë asnjë veprim.

Sipas burimeve zyrtare, pajisja e djegur nuk gjendet në Shqipëri, prandaj është porositur dhe brenda dy ditëve ajo do të mbërrijë, në mënyrë që të rindezë në gjendje normale dhe të vërë në funksion serverin e Thesarit të shtetit shqiptar.

Blerja dhe instalimi i një serveri të ri ka qenë një nga kushtet e vendosura në marrëveshjen e FMN-së me Qeverinë shqiptare. Afati për përmbushjen e tij ishte në Shtator të 2014-s, por siç tregon dokumenti zyrtar i FMN-së, Ministria e Financave nuk e realizoi për shkak të shtyrjes apo dështimit të tenderit. Pas dështimit, blerja e serverit të ri të Thesarit, i cili duhet të integrohej me atë të Tatimeve, u shty për tremujorin e parë të këtij viti. Por sërish kushti nuk është përmbushur ende./albeu.com/
Shtuar më 09/04/2015, ora 18:39

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori