Blenë votat! Krahas Dakos, dosja 339 do të djegë edhe zyrtarë të tjerë të PS
Hetimet e dosjes 339 do të vijojnë me marrjen në pyetje të të gjithë drejtuesve të shtabit elektoral të PS-së, që u angazhua në fushatë për zgjedhjet e vitit 2017.

Burime të “Tv Klan” pranë organit të akuzës thanë se të gjithë drejtuesit e shtabit elektoral të Partisë Socialiste, që u angazhuan në fushatë në Qarkun e Durrësit, apo edhe zyrtarë lokalë, po pyeten nga prokurorët Vladimir Mara dhe Dritan Premçi.

Ata kanë marrë dëshmitë e disa prej tyre, ndërsa pritet që dhënia e sqarimeve të vijojë edhe në ditët në vijim. Këtë të enjte, për më shumë se 5 orë, kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, iu përgjigj pyetjeve të prokurorëve Mara dhe Premçi lidhur me njohjen me vëllezërit Avdylaj. Dako ka rrëfyer në Prokurori njohjen me Astrit dhe Altin Avdylaj dhe ka mohuar të ketë dijeni mbi blerjen e votave.

Sipas “TV Klan”, kryebashkiaku i Durrësit ka sqaruar se persona të ndryshëm mund t’u kenë ofruar para votuesve, por ai nuk ka qenë në dijeni apo për më tepër ta ketë aprovuar këtë gjë. Në përgjimet e bëra publike, deri tani Vangjush Dako është regjistruar vetëm një herë duke folur me Altin Avdylin, i njohur ndryshe si “Niçja”, ndërsa në një përgjim të dytë del “Niçja” dhe një tjetër person.

Mësohet se pyetja e Vangjush Dakos dhe shtabit elektoral të Partisë Socialiste që u angazhuan në fushatë në Qarkun e Durrësit në zgjedhjet e vitit 2017 ka ardhur për shkak të përfundimit të zbardhjes së disa dhjetëra CD-ve të reja me përgjime nga ajo që njihet si dosja 339. Përgjimet e kësaj dosje gjatë operacion “Vol-vo 4” çuan në shkatërrimin e 4 grupeve kriminale që merreshin me trafikun e drogës dhe tjetërsimin e pronave në bregdet.

Ndërsa hetimi për blerjen e votave në Durrës u veçua në një tjetër dosje, 339/1. Lidhur me këtë dosje, opozita radikalizoi qëndrimet e saj, pas publikimit në media të disa fragmenteve dhe bisedave ku vëllezërit Avdylaj komunikonin në lidhje me blerjen e votave në Qarkun e Durrësit, duke përmendur edhe kryebashkiakun, Vangjush Dako.
Shtuar më 20/05/2019, ora 08:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori