Fevziu rrëfen miqësitë e lidhura e të prishura për shkak të “Opinion”
Pëlqej
Opinion” është padyshim një ndër emisionet më të ndjekura në Shqipëri dhe kjo falë mënyrës së drejtimit të emisionit të moderatorit, Blendi Fevizut.

Në 20 vjetor të emisionit të tij, Fevziu ka rrëfyer për herë marrëdhëniet me të ftuarit, miqësitë dhe zënkat ndër vite, shkruan Who.

Pjesë nga intervista

Kohë pas kohe ka pasur legjenda urbane që Blendi Fevziu ka pushtet tek politikanët e rëndësishëm, se i dëgjohet fjala, se sugjeron njerëz në poste të larta… A ka ekzistuar me të vertet ky lloj pushteti për Blendin?

B.F: Jo, nuk besoj. Dhe as më është dashur. Opinione mund të kem dhënë, por jo vendime. Por prania në emision dhe suksesi në të ka ndikuar në karrierën e shumë njerëzve!

Sa ndikim keni ju në politikën që bëhet sot?

B.F: Unë personalisht nuk besoj. Emisioni padyshim që ka ndikimin e tij. Lidhur me temën që zgjedh, audiencën që ka dhe trajtimin që bën.

A jeni ju i vetëdijshëm për ndikimin që keni?

B.F: Nuk e kam menduar këtë gjë asnjëherë. Unë bëj emisionin. Mundohem të jetë më i miri dhe më i pari. 4 vjet më parë, një ekip amerikan i kontraktuar nga një parti politike nënvizoi në fokus grupe faktin që shumë prej atyre që pyeteshin kishin si bisedë dite diskutimin e një natë më parë në Opinion. Kjo ishte hera e parë që ne kuptuam ndikimin që ka emisioni.

Si i ruani balancat mes pozitës dhe opozitës?

B.F: Si puna a tij akrobatit që ecën në tel. Më parë ka qenë më e vështirë. Tani e kemi shumë më të thjeshtë.

Sa miqësi kanë lindur me personazhet që keni intervistuar?

B.F: Fjala miqësi është shumë e madhe. Unë besoj se miqësia e vërtetë është ajo e viteve të gjimnazit dhe fakultetit ku ti shoqërohesh thjesht nga dëshira dhe pa asnjë influencë interesi. Nuk di të them miqësi, por me shumë prej atyre që kam intervistuar kam pasur raporte shumë të afërta. Disa prej tyre i kam njohur shumë shumë mirë.

Sa prej atyre që keni intervistuar i keni njohur përpara se të ishit Blendi Fevziu i “Opinion”?

B.F: Shumë prej tyre. Ka personazhe të rëndësishëm sot, që i kam njohur si shokë klase apo si miq të Tiranës së fundviteve ’80 dhe fillimit të ’90. Ilir Meta ka qenë një prej tyre. Banonim në një lagje dhe qëllonte që shkonim në shkollë bashkë. Ben Blushi ka qenë miku im më i afërt i studimeve dhe një mik i rëndësishëm edhe sot. Andi Bushati po ashtu. Sokol Olldashin e kam njohur kur erdhi student në Tiranë dhe Lulzim Bashën kur ishte gjimnazist tek Sami Frashëri. Ka shumë të tjerë që i kam njohur pa mbërritur në studion time dhe pa i njohur publiku. Thashë edhe më lart, vend i vogël ky…

A keni humbur miq për shkak të “Opinion”?

B.F: Po, në shumë raste!

Kush janë këta shumë?

B.F: Kur them shumë ka mjaft emra. Ka njerëz me të cilët distancohesh dhe nuk ke më frekuetimin e parë. Ka të tjerë me të cilët nuk komunikon më. Si rasti i Berishës.

Berisha dhe Lubonja, do të jenë pjesë e 20-vjetorit? Të vjen keq që ata kanë vendosur t’i thonë JO studios tënde?

B.F: Padyshim që do të jenë. Kanë konfirmuar të dy intervista me këtë rast dhe në transmetimin tonë do jenë. Padyshim që më vjen keq për të dy, por ka qenë vendimi tyre. Kur vendimin e dikujt nuk mund ta ndikosh dhe ndryshosh, duhet ta respektosh. Kjo po ndodh edhe në raportin tim me ta.

Intervista më e vështirë që keni bërë këto 20 vjet?

B.F: Ka shumë të tilla. Sidomos prej rrethanave. Mbaj mend në 2002 në një moment shumë delikat një intervistë me Ali Ahmetin. E takuam më Malësinë e Tetovës dhe rrugës ndërruam disa herë makina.

Rruga ishte plot me ushtarë që kërkonin pikërisht Ali Ahmetin. Kasetën e futëm thellë në makinë dhe arritëm të dalim në Kosovë. Një tjetër ka qenë ajo me Mbretëreshën Geraldinë në Afrikën e Jugut në 1999.

Ajo e ndërpriste shpesh intervistën për të vendosur maskën e oksigjenit. Unë doja të merrja sa më shumë, dhe ajo po më jepte sa mundej. Nuk do ta harroj kurrë mundimin e asaj gruaje fisnike, por edhe kënaqësinë që po fliste për një televizion në Shqipëri. /albeu.com/


Shtuar më 03/09/2017, ora 13:56
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori