Biznesmeni i kërkon të largojë zyrtarin, Rama: Je bërë shumë shqiptar
Mesa duket, kryeministri Rama nuk i pranon kritikat e mbi të gjitha kur ato i bëhen drejtpërdrejtë dhe kur i dëgjojnë mijëra shqiptarë. Kjo ka qënë pasqyra e përgjithshme e asaj që ka ndodhur sot, kur një biznesmen i huaj e ka kritikuar Ramën gjatë takimit për paketën fiskale, ndërsa u shpreh se për shkak të kësaj pakete kishte hequr njerëz nga puna.

Por Ramës, kritika nuk i ka pëlqyer dhe i është drejtuar biznesmenit duke i thënë se “ishte bërë shumë shqiptar…”.

Biznesmeni: Unë jam Patrik Paskal, jam menaxher i përgjithshëm i “Selenice Bitum”, e cila merret me bitum. Kam 16 vjet që punoj këtu dhe dua të flas për përgjegjësinë. Unë e di që ju doni të bëni gjëra të mira dhe besoj që mund ta bëni këtë pasi keni ndërmarrë reforma të mira. Sidoqoftë, më lini t’ju jap një shembull se çfarë duhet të ndryshoni. E di që e njihni problemin tim, por dua që të gjithë ta kuptojnë atë…

Rama: Patrik, para se të thoni problemin, flisni me të njëherë…flisni me të, OK? (personin që hartoi paketën fiskale të dhjetorit).

Biznesmeni: Po, po… Në dhjetor kam dërguar një letër te tre ministra, ish ministri i Financave Cani, ministri Ahmetaj dhe te ministri Gjiknuri, për një problem me paketën fiskale, pasi e dija që qeveria donte të rriste tatimin mbi fitimin me 300 %. Në këto letra zyrtare dhe jo zyrtare dërguar te personat që përmenda u shpjegova se me ligjin fiskal do të humbnin punësim, para dhe do të rritnin importet. Së fundmi, ligji kalon dhe për shkak të këtij ligji, 80 persona nga kompania ime janë në shtëpi sot. Kemi patur 6 muaj humbje. Keni rritur importet dhe keni humbur më shumë se 1 milion euro taksa.

-Kam një pyetje….(ndërhyn sërish Rama).

Rama: Patrik ti je bërë shumë shqiptar, sepse edhe pse ju e dini që ne e kemi zgjidhur këtë në korrik me paktën e re fiskale dhe do ta korrigjojmë këtë problem dhe Jensi e pranon një gjë të tillë si jo të mirë, tani duhet që patjetër ta bësh fjalimin tënd? Vazhdo…

Biznesmeni: E di si është situata tani, por e marr si shembull. Unë mendoj që administrata juaj duhet të marrë vendime kundër nëpunësve civilë të shtetit, sepse personi që vendosi të rrisë rentën apo fitimin nuk është se është një person që është budalla, por sepse ne të gjithë e dimë që jemi shoqëri jo bashkëpunuese dhe të gjithë e dimë se çfarë ndodh kur ne raportojmë administratën. Ju duhet të merrni vendim kundër personit që ka vendosur të rrisë rentën mbi fitimin, ndërkohë që ai vazhdon të jetë në punë akoma. Dhe është e rëndësishme që për të gjitha kompanitë që janë prezentë sot këtu, ju të jepni një shembull. Keni marrë një vendim, shteti ka humbur punësim, taksa eksporte dhe ju nuk morët asnjë vendim për personin përgjegjës për këtë. Jua kam thënë se kush dhe nuk do t’ia them se kush është përsëri. /albeu.com/
Shtuar më 24/05/2016, ora 14:35

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori