Biznesmenët kosovarë, veç Zoti i ruan!
Albeu.com
nga Enis Veliu*Investitorët nga Kosova, që kanë investuar në vendet e tjera, mbeten të pambrojtur. Shembull, Behgjet Pacolli, në gusht të vitit 2005 ka blerë 70 për qind të aksioneve të televizionit "ALSAT", mirëpo çuditërisht emri i tij nuk rezulton si pronar në KKRT dhe këtë Pacolli e ka mësuar shumë kohë më vonë.Biznesmenë kosovarë, që kanë investuar në vendet të ndryshme të rajonit, nuk gëzojnë asnjë mbrojtje nga institucionet e Kosovës. Për këtë qëllim Qeveria e Kosovës ende nuk ka krijuar asnjë mekanizëm. Ekziston vetëm një marrëveshje e nënshkruar me Shqipërinë dhe me Turqinë për mbrojtjen e dyanshme të investimeve. Në ndërkohë, investitorët nga Kosova përballen me vështirësi që ndonjëherë rrezikojnë seriozisht biznesin e tyre.

Përderisa Qeveria e Kosovës mundohet të krijojë kushte sa më të mira për investitorët e jashtëm, ajo ka pak mundësi që të përkujdeset për biznesmenët kosovarë që janë në vendet e tjera.
Mirëpo, kështu nuk ndodh në vendet e tjera të rajonit, meqenëse qeveritë e
shteteve përkujdesen për biznesmenët kudo që janë.
Biznesmeni i njohur kosovar, Behgjet Pacolli, në gusht të vitit 2005 ka blerë 70 për qind të aksioneve të televizionit "ALSAT", mirëpo çuditërisht emri i tij nuk rezulton si pronar në KKRT. Ai ka kërkuar mbrojtjen e së drejtës së tij dhe të pronës që e ka blerë, mirëpo një përkrahje të këtillë nuk e ka gjetur në Shqipëri. Në anën tjetër, institucionet kosovare në asnjë rast nuk janë kujtuar të angazhohen për mbrojtjen e kapitalit të biznesmenit kosovar.

"I kam paguar mjetet, televizionin e kam lënë në mirëbesim, që të menaxhohet nga stafi i atjeshëm. Kam bërë gjithçka që ata të punojnë me pajisje dhe me mjete të tjera me të avancuara.
Shumë vonë e kam marrë vesh që emri im nuk ishte shënuar si
pronar", thotë Behgjet Pacolli. Sipas Pacollit, biznesmenët kosovarë
që kanë investuar jashtë territorit të Kosovës, nuk kanë asnjë mbështetje
nga Qeveria e Kosovës.

"Oda Ekonomike nuk ka mundësi të na mbroj. Ajo në njëfarë mënyre ka mundur ta bëjë këtë, sikur Kosova të kishte pas përfaqësi nëpër vendet e rajonit, apo më gjerë", shtoi ai. Shqetësime të njëjta kanë edhe biznesmenë
tjerë, që kanë investuar në veprimtari të ndryshme jashtë Kosovës.
Ramadan Uka, pronar i hotelit "Uka" te Mali i Robit në Shqipëri, thotë se ka investuar shuma të konsiderueshme të mjeteve. Mirëpo, askush nga institucionet kosovare nuk ka pyetur së paku për biznesin që po bën.
"Absolutisht, deri më tash askush nga institucionet kosovare nuk ka menduar për mua, si për të mirë, ashtu edhe për të keqe", thotë ai.
Uka vlerëson se, sikurse të kishte një mbrojte institucionale nga Kosova, atëherë do të ishte më i qetë në zhvillimin e biznesit.
"Të them të drejtën, na kontaktojnë vetëm kur duhet t'ua kryejmë ndonjë punë. Madje, nuk vijnë as për kafe".

Ejup Fejza, drejtor i Agjencisë për Promovimin e Bizneseve, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thotë se iu dalin në ndihmë bizneseve në raste ato kur e kërkojnë atë.
"Deri më tash kemi të nënshkruar marrëveshje me Shqipërinë dhe Maqedoninë për mbrojtjen e dyanshme të investimeve. Mirëpo, në ministri nuk kemi pasur asnjë kërkesë, që të ndihmojmë ndonjë biznesmen, i cili ka mundur të ketë probleme në këto shtete", tha Fejza.
Sipas tij, në të ardhmen MTI-ja do të punojë në mënyrë intensive, që të
nënshkruajë marrëveshje të ngjashme bashkëpunimi edhe me vendet e tjera, ashtu që biznesmenët kosovarë të jenë më të sigurt.
Edhe asociacionet për mbrojtjen e interesave të biznesit deklarohen se janë të pafuqishme kur është në pyetje mbrojtja e biznesmenëve kosovarë, që kanë investuar jashtë Kosovës.

Safet Gërxhaliu, drejtor për Marrëdhënie me Jashtë në Odën Ekonomike të Kosovës (OEK), thotë se komuniteti i biznesit kosovar është më i pambrojturi në rajon. "Biznesmenët kosovarë kanë derdhur shumë mjete në vendet e rajonit. Të gjitha këto investime në aspektin institucional askush nuk i mbron. Ekzistojnë disa marrëveshje për mbrojtjen e investimeve të dyanshme me Turqinë, Slloveninë dhe me Amerikën, por jo edhe me vendet e tjera. Në këtë pozitë, biznesmenët tanë që investojnë jashtë Kosovës, për shkak të mungesës së mbrojtjes institucionale, hyjnë në një rrezik mjaft të madh".

Sipas Gërxhaliut, OEK-u në aspektin teorik mundohet të jetë sa më afër biznesmenëve, por nëse ata nuk kanë përkrahje të institucioneve qeveritare, përkrahja është vetëm morale.
Mirëpo, gjendja në Kosovë është pak më ndryshe. Çdo biznesmen i huaj,
që këtu dëshiron të investojë, trajtohet njësoj sikurse vendorët. "Bizneset e huaja në Kosovë janë shumë më shumë të favorizuara sesa bizneset tona që janë nëpër vende tjera", shtoi ai.

Edhe Agim Shanini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), thotë se biznesmenët kosovarë, që kanë investuar jashtë Kosovës, janë vetëm në mbrojtje të Zotit. "Vetë rastet e rrëmbimeve dhe të plaçkitjeve të biznesmenëve kosovarë nëpër vende të ndryshme, tregojnë se sa janë ata të rrezikuar. Pos kësaj, kanë edhe probleme të shumta me institucionet e vendeve ku kanë investuar", thotë Shahini.
Shahini sugjeron që më shpejt Qeveria e Kosovës të krijojë një mekanizëm që do të përkujdeset për biznesmenët që janë jashtë Kosovës. Por, kjo në mënyrë më efektive do të bëhet pas zgjidhjes së statusit, përkatësisht pas pavarësisë, kur hapen përfaqësitë diplomatike e konsullore nëpër botë.

Mimoza Kusari, drejtoreshe e Odës Ekonomike Amerikanë në Kosovë
(OEAK), thotë se ky asociacion ka përfaqësi në 105 vende të botës. Nëse
ndonjë kosovar, që është anëtar i kësaj ode, investon kudo në këto vende, atje do të ketë mbrojtje. "Deri më tash nuk kemi pasur ndonjë kërkesë për ndihmë. Nëse kjo është e nevojshme, ne jemi në shërbim të biznesit, përkatësisht të anëtarëve tanë", tha ajo.
* Lajm
Shtuar më 27/05/2007, ora 15:57
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori