Biznesi: Qeveria nuk u konsultua, nuk dimë ku të ankohemi
Së fundmi Qeveria ka legjitimuar rritjen e taksave për prodhimin vendas, pavarësisht asaj çka trumbetohet se prodhuesit vendas do të mbështeten. Nga 1 janari akciza e birrës së prodhuar në vend do të jetë me rritje nga 360 lekë për hektolitër që është në 400 lekë, ndërsa për birrën e importit, akciza do të ulet nga 710 lekë për hektolitër që është në 600 lekë për hektolitër.

Ndërkohë biznesi e ka kundërshtuar këtë paketë, pasi kjo diskriminon prodhimin vendas. Kreu i BiznesAlbania, Luan Bregasi, ka kërkuar që qeveria të rishikojë vendimin, pasi ndryshimet nuk kanë efekt në të ardhurat e buxhetit dhe prodhimi vendas bëhet më pak konkurrues.

"Rritja e taksës për këtë industri do ta bëjë edhe më pak konkurrues këtë produkt, në mënyrë të veçantë për industrinë vendase, e cila edhe me gjithë arritjet e këtyre viteve të fundit, ende i ndien vështirësitë e kostove të larta të prodhimit, për shkak të shumë faktorëve krahasuar me industritë e shumë vendeve që importojnë këtë produkt. Vendet e rajonit e kanë dyfish dhe tri herë më të ulët sesa akciza që ne aplikojmë në Shqipëri, pra, do të thotë që ne nuk jemi aq konkurrues me këtë treg. Edhe vendet e BE¬së, marrim shembull Gjermaninë, e kanë tri herë më të ulët me këto nivele që është tani, jo më me rritjen e re".

Sipas logjikës ekonomike për biznesin, rritja e taksave nuk përkon edhe me filozofinë e qeverisë për formalizim të ekonomisë, e cila në mënyrë logjike duhej të çonte në uljen e taksaveDuke qenë se rritja e akcizës e bën më pak të konkurrueshëm prodhimin vendas, nuk ka efekte në buxhet, duke qenë se ajo e prodhimit të importit ulet, taksa kthehet trefish më e lartë se rajoni, biznesi shprehet se kjo mund t'i shërbejë një grupi të caktuar.

"Përderisa rritet akciza e industrisë vendase dhe ulet akciza e industrive të vendeve që importojnë të njëjtin produkt, do të thotë se kjo më shumë i ngjan një politike për t'i shërbyer një grupimi të caktuar sesa një politike që të çon në rritjen e të ardhurave të buxhetit. Sepse, po të shikosh me rritjen 11 për qind të akcizës së industrisë vendase dhe uljen me 15 për qind të akcizës së vendeve që importohet, ngarkesa në buxhet është zero, çka do të thotë se kjo nuk është bërë për një politik për të rritur të ardhurat në buxhet, por është bërë si një politikë që ndoshta favorizon një grupim të caktuar importuesish të këtyre produkteve".

Nga ana tjetër, kryetari i shoqatës së prodhimit të birrave shqiptare, Stefan Pinguli, ngre shqetësimin e marrjes së vendimit pa konsultim me biznesin dhe dëmton parametrat e menaxhimit të tyre.

"Na thonë se do të rritet 11 për qind taksa. E kanë parasysh që ne jemi një organizëm, jemi një minishtet, që bëjmë disa llogari, që mbajmë disa njerëz në punë, madje në këto raste çfarë duhet të bëjmë ne? Kujt duhet t'i ankohemi? Të kapim për dore deputetët apo ka një mënyrë institucionale për t’u ankuar, nuk dimë çfarë të bëjmë dhe metodat e rrugës nuk i pëlqejmë". Pinguli sqaron se rritja e akcizës për prodhimin vendas dhe ulja e akcizës për importin do të sjellin që prodhuesi i huaj të mos jetë më i interesuar të blejë prodhimin vendas. Biznesi paralajmëron qeverinë të tërhiqet nga vendimi, ndërsa kjo përfaqësi do të paraqesë në komisionet parlamentare argumentet e tyre javës tjetër ku nisin dhe diskutimet e paketës fiskale. /albeu.com/
Shtuar më 19/11/2015, ora 08:46

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori