Bisedimet e Vjenës, Rambouillet 2
Pëlqej
Albeu.com
Në Vjenë përfundoi rundi i tretë i bisedimeve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Pala serbe e ka kundërshtuar çdo gjë që ndërmjetësuesit ndërkombëtarë kishin vënë në agjendën e rundit të tretë të bisedimeve Prishtinë-Beograd për çështjen e decentralizimit.Bisedimet janë përshkruar me një dozë të theksuar të nervozizmit tek anëtarët e delegacionit serb. Nëse palët nuk do të arrijnë së shpejti një marrëveshje, atëherë bashkësia ndërkombëtare do të imponojë një zgjidhje

Të hënën në mëngjes, i dërguari i OKB-së në bisedimet për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, i ka dëgjuar vërejtjet e negociatorëve serbë për dokumentin e decentralizimit të përpiluar nga zyra e tij.
Disa minuta para fillimit të takimit të tretë për decentralizimin, derisa e pinte kafenë e mëngjesit, Ahtisaari e ka pasur të qartë - nga ajo që kishte dëgjuar nga serbët - se bisedimet kësaj here nuk do të jenë edhe aq të lehta.
Dhe, ashtu doli.
Përderisa dy takimet e mëhershme kishin kaluar në një frymë të pajtueshmërisë për disa nga çështjet që ishin në diskutim, takimi i së hënës i ka thelluar mospajtimet ndërmjet dy palëve.
Temë diskutimi në këtë takim ka qenë bashkëpunimi ndërkomunal, financimi i komunave, si dhe është debatuar për dokumentin e decentralizimit, i cili është përpiluar nga Zyra e Ahtisaarit.
Por, për të gjitha këto çështje nuk është arritur pajtueshmëri.
Burime të “Lajmit” nga takimi bëjnë të ditur se serbët kanë kundërshtuar çdo pikë të dokumentit, të cilin para disa ditësh e solli në Prishtinë zëvendësi i Ahtisaarit, Albert Rohan. Ata kanë kërkuar lidhje horizontale të komunave serbe në Kosovë, ndërkaq janë shprehur se financimi i tyre nga Beogradi duhet të bëhet pa kaluar fondet nëpërmjet Qeverisë qendrore të Prishtinës.
Madje Mira Beham, zëdhënëse e Ekipit Negociator të Serbisë, ka thënë se bashkësia ndërkombëtare është e gatshme që t’ia japë pavarësinë Kosovës, e pse mos t’ua japë edhe serbëve një autonomi në Kosovë.
Të gjitha këto janë kundërshtuar nga pala kosovare, si dhe nga bashkësia ndërkombëtare.
Në pauzën e drekës, zëvendëskryeministri i Kosovës, Lutfi Haziri, njëherësh edhe shef i delegacionit kosovar, pranoi se bisedimet janë më të vështira se herat tjera dhe se qëndrimet e delegacioneve janë diametralisht të kundërta.
Në fakt, sipas burimeve të gazetës brenda takimit, bisedimet e paradites kanë shkuar huq, ngase negociatorët serbë, duke e kundërshtuar dokumentin ndërkombëtar për decentralizimin, kishin bërë që diskutimet të ngelin në pikën fillestare - atë të kompetencave të komunave.
Dështimi i takimit të së hënës, sipas burimeve të “Lajmit”, ka mundësi që të çojë te një zgjidhje e imponuar nga bashkësia ndërkombëtare për lidhjet dhe financimin e komunave serbe, e mund të ndodhë edhe për tërë procesin e decentralizimit.
Në një farë forme, këtë e ka pohuar edhe Albert Rohan. Ai para gazetarëve tha se ende nuk ka pajtim për shumë gjëra në këto bisedime, ngase palët kanë pikëpamje të kundërta me njëra-tjetrën, ndërkaq paralajmëroi se nëse nuk arrihet një marrëveshje brenda disa ditëve atëherë do të ketë zgjidhje të imponuar.
“Nëse palët nuk arrijnë marrëveshje për këtë çështje, atëherë çdo gjë do të dërgohet në Këshillin e Sigurimit dhe atje do të vendoset”, tha Rohan.
Sipas Lutfi Hazirit, pala kosovare nuk ka dallime të mëdha me qëndrimet e Zyrës së Ahtisaarit. Por, problemi është tek serbët.
“Serbët e kundërshtojnë dokumentin e propozuar nga negociatorët ndërkombëtarë në secilën pikë dhe po përpiqen ta rrënojnë atë totalisht”.
Sipas Hazirit, mospajtimet më të mëdha kishin të bënin me kompetencat dhe financimin e komunave.
“Pika më e vështirë ishte ajo nëse komunat duhet të formohen sipas parimit etnik apo funksional”.
Sipas tij, delegacioni serb e ka hedhur poshtë parimin themelor të delegacionit kosovar që komunat të mos formohen sipas parimit etnik.
“Pala serbe dëshiron të fusë parime që çojnë te krijimi i entiteteve. Beogradi ka të drejtë që t’u japë para komunave serbe në fusha të caktuara, por kjo duhet të bëhet në mënyrë legale dhe transparente dhe nëpërmjet Bankës Qendrore të Kosovës”, tha Haziri.
Sipas tij, dokumenti i propozuar nga ndërmjetësit ndërkombëtarë është në përputhje të plotë me qëndrimet e delegacionit të Kosovës.
Gjithashtu, edhe anëtari tjetër i delegacionit të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha për “Lajm” se konceptet e palës kosovare janë shumë të përafërta me ato të bashkësisë ndërkombëtare, si dhe me dokumentin ndërkombëtar për decentralizimin. Me gjithë kundërshtimet e palës serbe, Hoxhaj tha se është arritur të diskutohet edhe për disa çështje që ishin në agjendë. “Mandej, kemi shkuar në debate të thella për shëndetësinë dhe pushtetin lokal, kulturën, policinë dhe gjyqësinë”.
Alekasandër Simiq, anëtar i delegacionit serb, tha se në dokumentin e Zyrës së Ahtisaarit ishin përfshirë edhe qëndrime, për të cilat as që është bërë fjalë në dy takimet e mëparshme. Ai tha se pala serbe ka pasur vërejtje edhe rreth asaj se pse Rohan e kishte çuar dokumentin vetëm në Prishtinë, e jo edhe në Beograd.
Ndërkohë, një burim nga Kombet e Bashkuara, i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se serbët dhe shqiptarët janë pajtuar për shumicën e çështjeve rreth decentralizimit, ndërkohë që kanë mbetur çështjet më të vështira.
“Tash kanë mbetur çështjet më të rënda për të cilat duhet arritur kompromisi”. Sipas këtij burimi, do të bëhet çmos që palët të arrijnë një marrëveshje, por edhe nëse kjo nuk ndodh bisedimet do të vazhdojnë sipas planit të Ahtisaarit.
“Nëse edhe në fund të takimit tjetër nuk do të arrihet marrëveshje rreth çështjeve të caktuara - e kam frikë se kjo nuk do të ndodhë - atëherë shumë thjesht ne do t’iu themi palëve në negociata: Dëgjoni, këto janë parimet”, tha ky zyrtar për Reuters.
Në anën tjetër, Dardan Gashi, këshilltar i ministrit Haziri, i cili ishte i pranishëm në këtë takim, tha për “Lajm” se gjatë gjithë takimit anëtarët e delegacionit serb kanë pasur një dozë të theksuar të nervozizmit, ndërkohë që kanë filluar t’i kundërshtojnë edhe pikat për të cilat në takimet e mëparshme ka pasur një pajtueshmëri nga dyja palët.
“Por, tendencat e negociatorëve serbë nuk janë përkrahur nga ndërmjetësit ndërkombëtarë, sepse nuk janë as funksionale dhe as të akceptueshme për bashkësinë ndërkombëtare”.
Duke e përshkruar nervozizmin që ishte te pala serbe, një burimi i gazetës ka cituar fjalët e Marko Jakshiqit, përfaqësues i serbëve të Kosovës në delegacionin e Serbisë.
“Ne jemi të dëshpëruar nga ajo që po na servohet në bisedime”, ka thënë Jakshiqi.
Takim i radhës për çështjen e decentralizimit mendohet se do të mbahet më 28 prill, ndërkaq temë diskutimi do të jenë trashëgimia kulturore.
Serbët hapur kundër integritetit territorial të Kosovës

“Rundi i tretë përfundoi pa rezultate konkrete”, është titulli i lajmit të agjencisë gjermane të lajmeve DPA për konferencën e Albert Rohan, pas bisedimeve të organizuara në Vjenë. Zëvendësi i kryenegociatorit ndërkombëtar ka folur për dallime të konsiderueshme ndërmjet të dyja palëve, pa dashur të heqë dorë nga metodologjia diplomatike e nxitjes së optimizmit. Rohan ka thënë se është plotësisht legjitime që çdo palë të mbetet në pozicionet e saj. Unë nuk kam pritur diçka tjetër, tha ai para gazetarëve. Prishtina, sipas diplomatit austriak, ka insistuar në komuna të reja, të cilat nuk do të krijoheshin mbi bazat etnike dhe që të ketë ingerenca të fuqishme të pushtetit qendror kosovar. Delegacioni i Beogradit ka shprehur qëndrime krejt të kundërta, duke u angazhuar për modelin e ndërtimit të komunave mbi parimet etnike, me kompetenca të gjera dhe me ndikim të vogël të qeverisë kosovare. Më 17 prill do të arrijë në Beograd dhe Prishtinë një grup ekspertësh ndërkombëtarë të Zyrës së Ahtisarit, ka thënë Rohan.
Enevr Hoxhaj tha për “Lajm” se serbët duan autonomi politike në Kosovë.
“Dallimet janë shumë të mëdha ndërmjet qëndrimit të Beogradit, jo vetëm me Prishtinën, por edhe me dokumentin e Zyrës së Ahtisarit. Ata kërkojnë autonomi të plotë për serbët”.
Hoxhaj ka polemizuar me Samarxhiqin, i cili e kundërshtonte haptazi pikën pesë të dokumentit të Rohanit, ku thuhet se Kosova është e pandashme dhe mbetet unike.
nga LEONARD KERQUKI, Lajm
Shtuar më 05/04/2006, ora 09:45
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori